Metodat e shërimit alternativ

Mjekësi alternative

Metodat e shërimit alternativ

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 14:40
Ilustrim

Popullariteti i metodave popullore të mjekimit është rritur shumë në vitet e fundit. Kufijtë e mjekësisë alternative ndryshohen vazhdimisht dhe disa tipa të shërimit alternativ bëhen më të pranuar nga ana e mjekëve.

Nuk ekziston përkufizim i saktë për mjekësinë alternative. Në përgjithësi, këtu merr pjesë cilado qoftë praktikë e shërimit e cila nuk përputhet me mjekësinë zyrtare – d.m.th. cila do praktikë e cila nuk është e pranuar gjerë në shkollat mjekësore dhe nga ana e mjekëve nëpër spitale.

Sipas Qendrës Nacionale për Mjekësi Komplementare dhe Alternative dhe Qendrës Nacionale për Shëndet në SHBA, dallohen shtatë lëmi kryesore të mjekësisë alternative (disa nga to janë të testuara shkencërisht, të tjera jo).

Akupunktura – kjo është praksë që bazohet në stimulimin e pikave të caktuara të trupit (zakonisht me gjilpërë, por mundet edhe me shtypje – akupresurë), me të cilën ndihmohet shërimi.

Homeopatia – problemet shëndetësore trajtohen me shumë substanca të holluara.

Mjekë popullorë – siç janë shitës barnash popullore, gra me eksperiencë dhe praktikues të mjekësisë popullore.

Barërat herbale – këto janë bimë të ndryshme që shfrytëzohen në mjekësinë dhe në nutricionin. Ata zakonisht i gjejmë në shitoret për ushqim të shëndoshë, ose mund të fitohen nga shitës barnash, shpesh në formë të çajeve, kapsulave ose ekstrakteve. Këto substanca nuk janë të rregulluara përmes Food and Drug Administration (FDA) Amerikane. Megjithatë një e treta e amerikanëve të moshuar marrin rregullisht ndonjë lloj të bimës, më shpesh në formë të çajit prej kamomili për qetësimin e nervave ose Echinacea kundër ftohjes.

Shërimi manual – problemet mjekësore trajtohen me manipulim dhe me përforcim të pjesëve të caktuara të trupit. Metoda më e njohur nga ky lloj është kiropraksa (shërimi kiropraktik fokusohet në sistemin nervor dhe në modifikimin e shtyllës kurrizore, gjegjësisht të unazave që e mbulojnë palcën e kurrizit).

Masazhi – formë e shërimit manual – osteopati, në të cilën shfrytëzohet manipulim dhe shërim me prekje, ku praktikuesi i vë duart mbi ose në afërsi të trupit, që ta drejtojë energjinë.

Ndryshimi i ushqimit ose stilit të jetesës – gjithashtu paraqet lëmi të mjekësisë alternative. Shumë njerëz marrin suplemente duke llogaritur se ushqimi i rëndomtë nuk përmban mjaftueshëm vitamina dhe minerale. Shumë njerëz të cilët vuajnë nga disa sëmundje kronike siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti e përshtatin ushqimin e tyre ose shprehitë e tyre, që të mund ta mbajnë sëmundjen nën kontroll. Me këtë jo vetëm që shërohen nga sëmundje të caktuara, por njëkohësisht bëhet edhe parandalimi i të tjerave. Kjo lëmi e mjekësisë alternative është e pranuar gjërë dhe është e integruar në mjekësinë tradicionale.

Kontrolli i mendjes – fokusohet në rolin e trurit (mendjes) në gjendje të ndryshme, që e kapin organizmin. Hipnoza është formë e gjumit të vetëdijshëm ose transit, dhe mund të ndihmojë që disa njerëz të ballafaqohen me varshmërinë, dhembjen ose ankthin, kurse disa tretmane tjera, si psikoterapia, meditimi dhe joga janë të dobishme për relaksim. Shumë njerëz kthehen kah grupe të caktuara për përkrahje dhe kah lutjes që të ballafaqohen me sëmundjet dhe të ndjehen më të lidhur me njerëzit.

Bioelektromagnetika – bazohet mbi idenë, se rrymat elektrike në të gjitha organizmat e gjallë prodhojnë fushë magnetike, që përhapen jashtë organizmit.

Nga se dallohet mjekësia alternative nga ajo tradicionale?

Terapia alternative karakterizohet me qasjen e tyre holistike, që do të thotë se mjeku ose praktikuesi e trajton personalitetin në tërësi, e jo vetëm sëmundjen e caktuar. Në mjekësinë alternative i kushtohet vëmendje nevojave emocionale dhe spirituale të pacientit. Këtu dallohet nga mjekësia tradicionale, e cila kryesisht fokusohet në anën fizike të sëmundjes.

Shumica e praktikuesve të mjekësisë alternative nuk janë të pranuar nga ana e mjekëve nëpër spitale dhe ambulanca. Është e mundshme që mjeku juaj aspak të mos jetë i informuar për këtë çështje. Megjithatë, në qendrat e reja të mjekësisë integrative ofrohet një kombinim i tretmaneve tradicionale dhe alternative. Qendrat e tilla zakonisht punësojnë mjekë dhe ekspertë alternativ me çertifikatë për terapi të ndryshme alternative.

Përveç zhvillimit të kësaj lëmie, pjesa më e madhe e terapive alternative nuk mbulohen me buxhetin mjekësor. Shumica nuk janë të vërtetuara shkencërisht dhe bazohen në praktikimin afatgjatë për sukses.

Cilat janë rreziqet nga aplikimi i metodave alternative në shërim?

Disa lloje të shërimit alternativ si lutjet, masazhi dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë të sigurta dhe e plotësojnë me sukses tretmanin mjekësor, por disa terapi – sidomos barërat herbale mund të jenë të lidhura me ndonjë rrezik.

Për dallim nga barërat që merren me recetë në barnatore, remedet herbale nuk janë të rregulluara rreptësishtë nga ana e institucioneve përgjegjëse. Ato nuk e kalojnë procedurën e testimit para se të lëshohen në treg, dhe nuk është e domososhme t’u përgjigjen standardeve të kualitetit. Barërat herbale që vijnë nga shtetet e pazhvilluara, ndonjëherë janë të kontaminuara me pesticide dhe metale të rënda.

Problem tjetër në të cilin mund të hasni, janë mashtrues të ndryshëm dhe mjekë popullorë, të cilët prezantohen si shërues, duke propaganduar tretmane të pakontrolluara dhe ndonjëherë të rrezikshme. Të tillët nuk janë të rrallë në shtetin tonë, për fat të keq disa nga ata lirshëm promovohen në mediat.

Keni shumë kujdes cilin do ta zgjidhni për ndihmë dhe asnjëherë mos i jepni çfarëdo “bari” fëmijës tuaj, nëse nuk e dini përmbajtjen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat