Matoshi e Bahtiri largojnë mbeturinat vetëm deri te ura e Ibrit

Mitrovica

Matoshi e Bahtiri largojnë mbeturinat vetëm deri te ura e Ibrit

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 11:12
Fatmir Matoshi dhe Agim Bahtiri

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fatmir Matoshi dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë dalë sot për të pastruar këtë komunë në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” që do të zgjasë deri më 22 dhjetor.

Megjithatë asnjëri nga ata nuk kanë dalë për pastrim në pjesën veriore të Mitrovicës.

Matoshi gjatë hapjes së aksionit tha se sot po shënojnë dy ngjarje të ndryshme por që po lidhen në mënyrë mjaft të mirë me njëra tjetrën. Ditën Ndërkombëtarë të Pastrimit si dhe Ditën Ndërkombëtare të lëvizshmërisë pa makina, për nder të së cilës ai dhe Bahtiri kaluan një shteg me biçikleta në Mitrovicë.

Kryetari Bahtiri, anën tjetër kërkoi nga qytetarët ta mbajnë vendin pastër. Duke iu falënderuar të gjithëve për pjesëmarrjen, ai tha se Mitrovica do të shndërrohet në vend që do të kërkojnë të gjithë ta vizitojnë.

Ndërsa koordinatori i aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj tha se është mbledhur një numër i madh i njerëzve gjë që nuk e kane pritur dhe shtoi se kur ka pastërti ka shëndet, e ku ka shëndet ka shoqëri të mirë e evropiane.

Ndryshe, në aksion iu janë bashkuar një numër i madh i qytetarëve ki të gjithë të mobilizuar filluan pastrimin e qytetit.

Kujtojmë se Mitrovica ka probleme me deponitë ilegale të bërllogut, dhe disa prej tyre shihen dhe rreth lumit Ibër, sidomos në pjesën veriore të kësaj komune.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat