Ngjarja memoriale “Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymerit” ka mbledhur sot në qytetin e Mitrovicës një numër të konsideruar të atletëve të klubeve të Kosovës të kategorive të ndryshme, nxënës, qytetarë dhe zyrtarë të institucioneve të sigurisë.
Duke e shpallur aktivitetin të hapur, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë event, sepse siç tha ai, heroi Enver Zymeri dha gjithçka për këtë vend.
Bahtiri: Mendoj se do të jetë një ditë e mirë
“Mendoj se do të jetë një ditë e mirë, në të cilën ju do të vraponi në shtegun e atij që dha gjithçka për këtë vend, dhe sigurisht që edhe ne s’do të kursejmë asgjë për këtë vend”, ka thënë Bahtiri.
Muharrem Zymeri, babai i heroit, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me përkujdesjen institucionale dhe organizimin e gjithmbarshëm për këtë ditë, sidomos nga kolegët e heroit.
Zymeri: Jam shumë i kënaqur
“Unë kur po i shoh kolegët dhe mbarë Kosova që janë organizuar në këtë ditë, jam shumë i kënaqur”, theksoi Zymeri.
Ndërkaq, Florije Hajra nga Policia e Kosovës, pjesëmarrëse në këtë event, tha se sot ndjehet shumë krenare që është pjesë e kësaj ngjarje. Sipas saj, rënia e heroit në detyrë shtatë vite më parë, është humbje e madhe për Policinë e Kosovës, por u shpreh krenare me punën dhe angazhimin e tij gjatë gjithë atyre viteve në polici.
Hajra: Sot ndihem shumë krenare
“Sot ndihem shumë krenare me faktin se mesazhi i kësaj ngjarje ‘Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymerit’, ka të bëjë me ish kolegun tonë të rënë në detyrë shtatë vite më parë…Për neve si kolegë është humbje e madhe, megjithatë mburremi me punën dhe angazhimin që ka pasur gjatë gjithë atyre viteve si pjesë e Policisë së Kosovës”, tha ajo.
Pas përfundimit, organizatorët e kësaj ngjarje shpërndan mirënjohje, medalje dhe shpërblime për fituesit.
Ky aktivitet që u mbajt në shenjë kujtimi dhe nderi në shtatë vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Enver Zymeri, u organizua nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Mitrovicës, Federatës Atletike të Kosovës, si dhe Policisë së Kosovës.