Diplomoi gjenerata e parë e studentëve të Edukimit në Universitetin “Isa Boletini”

Mitrovica

Diplomoi gjenerata e parë e studentëve të Edukimit në Universitetin “Isa Boletini”

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 13:19
Ceremonia e diplomimit

Ka diplomuar gjenerata e parë e studentëve të Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës.

Me këtë rast, rreth 70 studentë kanë marrë certifikatat për diplomimin e tyre në një ceremoni të organizuar të mërkurën në ambientet e këtij fakulteti.

Folësit në ceremoni thanë se diplomimi i gjeneratës së parë të studentëve në Fakultetin e Edukimit është një moment i veçantë për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Prorektori, Ali Sadiku, uroi të diplomuarit, për të cilët tha se megjithëse kanë qenë gjenerata e parë, kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm.

 “Ne jemi krenar me ju, meqë përkundër faktit se keni qenë gjenerata e parë, keni qenë shumë të suksesshëm”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa,  Merita Shala, dekane në këtë Fakultet, tha se ka qenë kënaqësi puna me studentët e gjeneratës së parë në Fakultetin e Edukimit, ashtu siç është edhe me gjeneratat tjera.

“Jemi sfiduar së bashku, por përkundër hapësirave jo të përshtatshme sa i përket objektit, ia kemi dalur me sukses”, theksoi Shala.

Në emër të grupit të studentëve, foli Hatixhe Gashi, e cila falënderoi drejtuesit e rektoratit të Universitetit, drejtuesit e Dekanatit të Fakultetit dhe gjithë mësimdhënësit për mbështetjen e ofruar. “Jemi shumë të lumtur me suksesin tonë dhe jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë drejt sukseseve të reja”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat