Shqiptarë e serbë bëhen bashkë për drogë

Mitrovica

Shqiptarë e serbë bëhen bashkë për drogë

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 11:41
Shqiptarë e serbë bëhen bashkë për drogë

?Se biznesi eliminon ndasitë kombëtare dëshmon më së miri rasti i fundit i arrestimit të pesë personave nga jugu dhe veriu i Mitrovicës, të dyshuar se me veprimet e tyre janë përfshirë në punën e laboratorit të drogës që u zbulua nga policia në fshatin Çukiq të Zubin Potokut.

Kp ka mësuar se bëhet fjalë për tre shqiptarë dhe dy serbë, njëra prej tyre femër, dhe të gjithë nga qyteti i Mitrovicës.

Të arrestuarit me inicialet A.A, B.Ç, B.V, R.K dhe D.P, (emrat e plotë të njohur për redaksinë) dyshohet se janë përfshirë në punën e këtij laboratori që ka shërbyer për përpunimin e drogave si heroinë dhe morfinë.

“Tre prej këtyre personave ndodhen tashmë në arrest shtëpiak, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ata dyshohet se kanë ndihmuar secili në formën e vet në punën e laboratorit i cili ka shërbyer për përpunimin e narkotikëve të ndryshëm me anë të barnave, acideve, tabletave dhe të ngjajshme, të cilat ndihmojnë në prodhimin e drogave sintetike dhe substancave psiko-aktive”, kanë thënë burime duke shtuar se ka akoma persona të përfshirë, por që janë në kërkim të Policisë.

Media ka kontaktuar Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Kosovës për të marr detaje shtesë rreth të arrestuarve, mirëpo këta të fundit nuk kanë dhënë emra.

Sipas policisë, në vazhdën e veprimeve operativo-hetimore dhe në funksion të zbatimit të ligjit, me datë 05.06.2018 në Veri të Mitrovicës, përkatësisht në Zubin Potok, me urdhëresë të Gjykatës, policia ka realizuar aktivitetet e saja me qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimit me narkotikë.

‘Si rezultat i veprimeve policore, gjatë kontrollit në një vend malor, në një shtallë të improvizuar si dhomë është zbuluar laboratori i cili dyshohej se shërbente për përpunimin e drogave sintetike, disa medikamente, katër armë të gjata, disa radiolidhje dhe pajisje tjera të dyshuara, të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Policia e Kosovës ka arritur të identifikoj dy persona të dyshuar, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal, njëri serb nga Kosova ndërsa tjetri serb nga Serbia, të cilët janë në kërkim policor. Policia e Kosovës ne bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke vazhduar me hetime’, thuhet në përgjigjen e policisë dërguar KosovaPress-it përmes postës elektronike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat