Shumë shpejt në Mitrovicë nis ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza - Bota Sot
Shumë shpejt në Mitrovicë nis ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza

Mitrovica

E martë, 25 shtator 2018

Shumë shpejt në Mitrovicë nis ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 23:20
Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar që së shpejti do të realizojë edhe një projekt kapital, shumë të rëndësishëm.

Përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe të Bankës Europiane për Investime, dr. David Tyler, Lijana Jancauskiene, Konstatinos Mastroglanopulos, Bekim Muaremi dhe Arianit Blakaj, janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, për të biseduar për projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja dhe drejtori i Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”, Sami Mustafa.

Në takim u tha se Mitrovica dhe Gjilani do të jenë përfitues të kredisë nga këto dy banka për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, pasi që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse janë parapërcaktuar për këtë.

BERZH dhe Banka Europiane për Investime mjetet e tyre do t’ia ndajnë Qeverisë së Kosovës e cila është investitor i projekteve kapitale të këtyre dy komunave, kështu që komunat nuk do të kenë fare punë me bankat sa i përket çështjes së financimit, por vetëm të bashkëpunimit të ngushtë për realizimin e projekteve.

Përfaqësuesit e BERZH-it dhe Bankës Europiane për Investime, si financuese të projekteve, thanë se kanë ardhur në Mitrovicë për një vizitë për të mbledhur të dhëna konkrete të nevojshme për realizimin e projektit të ujërave të zeza.

Sipas njoftimit, përfaqësuesit duan të shohin se çka është e nevojshme për ndryshim në projektin e ofruar më parë, por jo për ndryshimin e tërësishëm të tij.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri më pas ka falënderuar përfaqësuesit e të dyja bankave për vizitën dhe gatishmërinë për të mbështetur realizimin e projektit të ujërave të zeza, duke thënë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

“Ne kemi ndërtuar liqenin artificial në Ibër dhe i kemi rregulluar mirë dhe do t’i rregullojmë akoma hapësirat përgjatë lumit Ibër, prandaj i kemi parapa me kohë veprimet që duhet bërë për të mos i derdhur ujërat e zeza në lumë. Liqeni duhet të ketë ujë të pastër. Për këtë arsye ne shpresojmë se edhe Komuna e Zubin Potokut do të jetë e gatshme për bashkëpunim për t’i derdhur ujërat e zeza në këtë impiant, duke ndërtuar kanalizimet përgjatë lumit Ibër, që nga liqeni i Ujmanit e deri këtu në Mitrovicë”, tha Bahtiri.

Ky projekt parashihet të kushtojë rreth 30 milionë euro, ka kapacitet të trajtimit të ujërave të zeza prej një mijë litra në sekondë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test