Burri i zhdukur nga Mitrovica: Nuk më ka mbetur më për të jetuar

Mitrovica

Burri i zhdukur nga Mitrovica: Nuk më ka mbetur më për të jetuar

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 14:47
Nystret Habibi

58-vjeçari Nystret Habibi, nga fshati Zhabar i Mitrovicës, i cili vuan edhe nga depresioni, është zhdukur qysh nga dita e mërkurë. Ai shpesh herë kishte deklaruar se nuk i kishte mbetur më për të jetuar. Kontaktin e fundit e kishte pasur me bashkëshorten e tij. Ajo ishte munduar ta ndalonte për të mos u larguar nga shtëpia, por nuk ia kishte dalë. Familjarët e kanë raportuar të zhdukur në polici. Djali i tij Bekimi rrëfen ngjarjen.

“Sum ka met me jetu ma, lypke me dalë më shumë prej shtëpisë”, citon Bekimi, fjalët e të atit.

Nystreti, që zakonisht dilte në përcjellje të familjarëve, të mërkurën në orën 9 të mëngjesit ishte larguar i vetëm nga shtëpia, pa treguar se ku po shkonte.

“Nana ka tentu me nal, po ska mujt me nalë. Nuk ka fol kurgjo veç ka dalë se ka edhe ngecie në të folur”, vazhdon rrëfimi.

Nystreti nuk mbante as telefon me vete. Mirëpo djali i tij, Bekimi, thotë se mund të ndodhet në Koshtovë, pasi sipas tij e ka parë dikush nga të afërmit në një nga restorantet atje.

“Mora informata që e ke pa dikush e thirra edhe policinë. Në fshatin Koshtovë, kumedit për çka ka shku. E kanë pa në një restorant në atë rrethinë është najkah”, thotë Bekimi.

Nystreti kohëve të fundit kishte punuar edhe si ndërtimtar, thotë djali i tij. Thotë se babai i tij nganjëherë bëhet nervoz dhe vazhdimisht përdor terapi për luftimin e depresionit.

Lajmin për zhdukjen e të moshuarit nga Zhabari i Mitrovicës e ka konfirmuar edhe policia.

“Para dy dite është raportuar si i zhdukur nga familjarët dhe policia po e kërkon vendndodhjen e tij”, tha Avni Zahiti nga Policia rajonale e Mitrovicës.

Media mëson se ai ishte raportuar si i zhdukur edhe më parë nga familjarët, por pas disa ditësh ishte rikthyer në shtëpi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat