Komuna e Mitrovicës rrënon ndërtesën 11 katëshe pa leje

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës rrënon ndërtesën 11 katëshe pa leje

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 11:05
Rrënimi i ndërtesës 11 katëshe pa leje

(E plotësuar) - Ndërtesa 11 katëshe e cila gjendet afër shkollës fillore “Bedri Gjina” në Mitrovicë, ka filluar sot të rrënohet.

Ky rrënim po bëhet me vendim të kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ngase kishte rezultuar të jetë ndërtesë pa leje.

Bahtiri ishte prezent kur filloi rrënimi i këtij objekti, dhe gjatë bisedës me investitorin dhe njërin prej familjarëve të investitorit, tha se ai ka përgjegjësi të punojë vetëm në bazë të ligjit.

Sipas kryetari Bahtiri, komuna ia ka tërhequr vërejtjen disa herë investitorit për ndërprerjen e punimeve, por një gjë e tillë nuk është respektuar.

Bahtiri: Ia kemi tërhequr vërejtjen investitorit por ai nuk i ndaloi punimet

“Ju mirë e dini sa herë ka ardhur inspeksioni dhe i ka vu shiritat. Unë nuk jam për me rrënu, sikur të ishte pronë e imja tash ta kisha dhënë dorën dhe ta kisha falë. Unë udhëhiqi një institucion dhe kam përgjegjësi para qytetarëve që ta mbroj ligjin deri në fund…Unë duhet të veproj në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës…Ta kemi tërhequr vërejtjen disa herë…Ju keni të drejtë ankese, është gjyqi, nëse komuna nuk ka të drejtë atëherë ne e kompensojmë krejt dëmin e sotëm”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, Fidan Muharremi, investitor i këtij objekti banesor tha se kompania e tij ka aplikuar për leje në shtator të vitit 2015 dhe meqë pas 7 muajsh pritje nuk ka pasur përgjigje, atëherë ka filluar së ndërtuari.

Ai tutje ka akuzuar se i është kërkuar ryshfet prej 10 mijë eurosh për vazhdimin e punimeve, por nuk ka përmendur emra, ndërsa tha se rastin e ka denoncuar në Polici.

Muharremi: Më kërkuan 10 mijë euro ryshfet për të më lejuar vazhdimin e punimeve

“Ne e kemi një numër të lëndës që kemi bërë kërkesë për leje në muajin e nëntë të vitit 2015. Neve nuk na është kthyer ndonjë përgjigje deri në muajin e tretë ose të katërt të vitit 2016, kur kemi vazhduar me punime…do të thotë ne kemi pritur 6-7 muaj për me na kthyer përgjigje. Por përgjigje nuk kemi marr nga komuna dhe meqenëse nuk kemi pasur përgjigje, është e drejtë automatike që ne me vazhdu me punime… Lënda është e depozituar në Gjykatë, na ka bërë komuna një padi në Gjykatë, jemi në proces gjyqësor me ta, por këta kanë marr vendim personal për rrënim pa ndonjë konsultë me Gjykatën… Na kanë lyp ryshfet, na kanë kërkuar 10 mijë euro, pasi që ne nuk kemi pranuar, atëherë ky vendim është marr brenda tre ditësh që të ekzekutohet…kanë kërkuar përgjegjësit komunalë...emrat janë të depozituar në polici…”, ka thënë ai. 

Duke treguar tutje se ndërtesa ka filluar të ndërtohet në vitin 2016, dhe nuk është ndërtuar brenda natës. Sipas tij, nëse dikush ka dashur të ndalojë punën më të vërtetë atëherë është dashur ta bëjë këtë në fillimet e tyre.  Rrënimi ka ndodhur sot me prani të forcave të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Komuna e Mitrovicës rrënon ndërtesën 11 katëshe pa leje

Ndërtesa 11 katëshe e cila gjendet afër shkollës fillore ‘Bedri Gjina’ në Mitrovicë, ka filluar sot të rrënohet.

Ky vendim erdhi nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri për shkak se ishte ndërtuar pa leje.

Bahtiri tha mes tjerash se do ta respektojë ligjin i cili do të vlejë njëjtë për të gjithë dhe pa dallim.

Në vend ngjarje janë parë edhe forca të Njësisë Speciale.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat