Mujka: Autoritetet komunale në veri po e mbajnë peng hapjen e urës

Mitrovica

Mujka: Autoritetet komunale në veri po e mbajnë peng hapjen e urës

Më: 26 maj 2018 Në ora: 17:00
Ura kryesore në Mitrovicë

Ura kryesore në Mitrovicë, ende jashtë funksionit, ani pse punimet për ri-vitalizmin e urës ka kohë që kanë përfunduar.

Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës Veriore nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, ndërsa Zyra e BE-së që ka mbikëqyrur këtë proces thotë se punimet janë duke vazhduar.

Punimet në urën kryesore të qytetit të Mitrovicës kanë përfunduar, muaj më parë. Megjithatë ura, nuk është e hapur për qarkullim. Banorët të cilët jetojnë në jug të Mitrovicës , thonë se për të qarkulluar me veturë në anën tjetër të qytetit,ata përdorin rrugët alternative.

“Po normal që na pengon se s’po kemi me vetura si me lëviz po duhet rreth e rreth me dale në atë anë. Me siguri politike. Ma ngatë ma mirë mundësi ma e mirë për neve se sa mu sillë në atë anë”, ka thënë një banor për televizionin publik.

“Unë edhe kështu ashtu qarkullojë se punoj ne veri, kemi edhe rrugë të tjera alternative p.sh është edhe ajo ura lindore në atë anën tjetër është andej kah Suhodolli po mendoj është ajo pjesa .Por nëse hapet ura kryesore shumë do të ndihmonte edhe në qarkullim të njerëzve sado kudo edhe njerëzit po hekin derisa po vijnë naltë në gjykatë pse me pagu. Askush në këtë qytet nuk e di se kur mund të hapet ura. Këtë e di vetëm Zoti”, shprehet një qytetar serb në veri të Mitrovicës.

“Nuk e di pse po zgjaten punimet, mua aspak s’po me pëlqen krahasuar me punimet një pjesën jugore apo Vushtrri e Prishtinë. Aktualisht kundërmon erë dhe fëmijët s’mund të lozin . Sërish edhe kjo do të ndërrohet”, tha tutje.

Autoritetet komunale në veri, ditëve të fundit po heqin një pjesë të rrugës së shtruar me gurë katror. E gjithë kjo, për tu dukur se punimet nuk kanë përfunduar. Por qytetarët serb thonë se kjo po bëhet për të shpëlarë para.

“Tani përsëri do t’i heqin kockat,dhe do të mbjellin portokaj , krejt kjo është vetëm shpëlarje parash. Në fakt vetëm Zoti e din se çfarë po bëhet, një ditë mund t’i heqin edhe këto, kjo vetëm është shpëlarje parash”.

“Nuk e di se çfarë po bëjnë më por kjo është shpërlaje e parave. Çfarë mendoni ju,tani thonë se duan ta mbyllin atë lart, kjo nuk ka kuptim. Shikoni ka filluar nga rruga Knjaz Mihajlo paramendo çfarë budallallëku .Tash thonë se duan ta hapin rrugën atje poshtë drejt Knjaz Mihajlo-s paramendo e krejt kjo për mua është budallallëk”.

Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka thotë se autoritetet komunale në Mitrovicën veriore po e mbajnë peng hapjen e urës.

Kjo po bëhet më qëllim që të negociohen edhe një herë kufijtë administrativ thotë Mujka.

“Po promovohet një finale e dialogut dhe Rakiqi shpreson ta mbajë peng çështjen e urës që të negocioj edhe një herë kufijtë administrativ. Kufijtë administrativ janë të përcaktuar edhe me pakon e Ahtisarit por edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe dihet 4 fshatra në veri të Mitrovicës i takojnë Komunës jugore. Intenca e Rakiqit dhe e strukturave serbe është që kufirin ta zbresin deri te shtrati i lumit Ibër dhe në një mënyrë të jetë edhe një kufi natyror dhe shumë më i lehtë për tu administruar sipas projektit të ardhshëm të Asociacionit të Komunave Serbe”.

Asnjë zyrtarë serb në Komunën Veriore nuk ka qenë i gatshëm të përgjigjet apo edhe për të bashkëpunuar lidhur me këtë çështje.

Kurse zyra e BE-së në Kosovë thotë se “punimet në urë dhe në atë pjesë janë duke vazhduar dhe tani po hyjnë në fazën finale. BE beson se kjo do të përfundoj shpejt”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat