Komuna e Mitrovicës në hall me fabrikat e ‘mbyllura’

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës në hall me fabrikat e ‘mbyllura’

Më: 22 maj 2018 Në ora: 12:19
Fabrika për riciklimin e vajrave motorike

Bordi i Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës në takimin e rregullt të mbajtur të hënën ka diskutuar problemin më dy fabrikat për përpunimin e vajrave të cilat janë mbyllur dhe të njëjtat nuk janë duke respektuar vendimin për mbylljen e tyre.

Hysni Ahmeti, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, ka thënë se fabrikat e mbyllura nuk po e respektojnë vendimin e organeve komunale.

Ahmeti ka thënë se inspektorët kanë intervenuar sërish dhe drejtuesit e njërës fabrikë janë ftuar në polici për shkeljet ligjore që kanë bërë, por të cilët me urdhër të Prokurorisë janë lënë të lirë, përkatësisht lënda ka shkuar në procedurë të rregullt hetimore.

Kallxo ka raportuar për problemet e banorëve lidhur me fabrikën e vajrave në Mitrovicë .

Kurse disa ditë më vonë nga koha e raportimit ishin mbyllur dy fabrika nga ana e Inspekcionit të Mitrovicës, duke përfshirë edhe fabrikën e vajrave.

Ndërsa, për fabrikën tjetër drejtori Ahmeti tha se ka bërë shkelje të rënda ligjore, dhe se aty duhet të intervenoj policia e krimeve ekonomike, pasi që pronarët e fabrikës kanë mashtruar se janë në punë testuese, ndërsa që kanë bërë prodhim të rregullt të produkteve.

Drejtori Ahmeti i njoftoi anëtarët e Bordit të Drejtorëve se inspektorët janë të vendosur që të ndërpresin ndërtimet pa leje, ani pse ai dhe inspektorët kanë pas kërcënime nga ndërtuesit, për çka edhe është njoftuar Policia e Kosovës.

Ai kërkoi nga Policia që të jetë më e angazhuar dhe përkushtuar për të mbështetur Inspekcionin Komunal për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje në Komunë.

Lidhur me njoftimin e drejtorit Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social ‘facebook’ ka reaguar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri.

Bahtiri ka reaguar ndaj disa zyrtarëve se për interesa të tyre të ngushta po keqpërdorin pronën publike dhe po ndërtojnë pa leje.

Sipas këtij postimi këto sjellje kanë çuar deri në kërcënime dhe sulme fizike ndaj zyrtarëve komunal të cilët siç thotë Bahtiri, po marrin masa ligjore për të mos lejuar vazhdimin e aktiviteteve ilegale raporton Kallxo.

“Veprimet e tilla manifestohen me uzurpime dhe keqpërdorime të pronës publike, ndërtime pa leje dhe punë ilegale të fabrikave që seriozisht po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e qytetarëve tonë, të cilat po shoqërohen me kërcënime dhe sulme fizike ndaj zyrtarëve komunal që po marrin masa ligjore për të mos lejuar këto aktivitete ilegale. Ju bëj me dije të gjithë këtyre keqbërësve se asnjë kërcënim, sulm apo shantazh, nuk do të na frikësoj dhe nuk do të na zmbraps nga përkushtimi ynë për të zbatuar ligjin. Sepse vetëm kështu Mitrovicën mund ta bëjmë qytet të dinjitetshëm dhe evropian, të stabilizuar në aspektin politik e të sigurisë, dhe të zhvilluar ekonomikisht, me të cilin mund të jemi pafundësisht krenarë “, thuhet në reagimin e kryetarit Agim Bahtiri.

Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e së hënës kanë  shqyrtuar dhe aprovuar Draft-Raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2017; Qarkoren buxhetore 2019; rishikimin e buxhetit për vitin 2018; Procedimin dhe regjistrimin e avancave; Informatat për rregullsinë e dokumenteve financiare; Konsultat për bartjen e të hyrave vetjake të vitit 2017; Informatat për vizitën e një grupi të mjekëve nga Amerika që do të ofrojnë shërbime shëndetësore në Mitrovicë më 04.06.2018; Përgatitjet për shënimin e Ditës së Dëshmorëve dhe Njoftimin për donacionin e GIZ-it.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat