Përfaqësues të Diasporës shqiptare vizituan Mitrovicën

Mitrovica

Përfaqësues të Diasporës shqiptare vizituan Mitrovicën

Më: 20 maj 2018 Në ora: 16:02
Në takim u diskutuan mundësitë për investime, përfaqësimin e diasporës në vendimmarrje politike, si dhe hapja e një zyre në komunë.

Roli i diasporës shqiptare ka qenë i madh, konstruktiv, produktiv dhe jetik në periudha vendimtare, sidomos kur kombi ishte në rrezikun e shfarosjes.

Kështu u tha mes tjerash sot në Mitrovicë, gjatë takimit me përfaqësuesit e komunitetit të diasporës shqiptare, të cilët përfaqësojnë bashkatdhetarët nga gjithsej 23 shtete të ndryshme të botës, që u organizua nga organizata joqeveritare ‘Germin’.

Në takim u diskutuan mundësitë për investime, përfaqësimin e diasporës në vendimmarrje politike, si dhe hapja e një zyre në komunë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, u shpreh i sigurtë se bashkatdhetarët sot kanë mundësinë t’i shohin të arriturat dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në qytetin e Mitrovicës, në krahasim me vitet e 90-ta kur mitrovicasit me të madhe braktisën vendin.

Sipas tij, problemi kryesor që ka karalterizuar Mitrovicën gjatë këtyre viteve ka qenë jo stabiliteti politik, protestat, vija kufitare e qytetit, ekzistimi i strukturave paralele dhe të ngjajshme, ndërsa vuri theksin tek ndarja e qytetit në dy komuna, të cilat i quajti komuna politike dhe për ndarje etnike.

Ai bëri të ditur se nga viti 2013 vërehet një përmirësim i theksuar i situatës politike, të sigurisë dhe të përgjithshme në Mitrovicë, ndërsa potencoi se bashkatdhetarëve do t’u krijohen mundësi jo vetëm për investim, por edhe për vendimmarrje në politikë.

Mujka: Mitrovica për një kohë të gjatë ka vuajtur jo stabilitetin

‘Me siguri shumica e atyre që kanë dalë vitet 90-ta, shohin një ndryshim të madh që ka ndodhur në qytetin tonë…Normalisht ka pasur edhe disa zhvillime të cilat absolutisht nuk kanë qenë në dëshirën tonë, si ndarja e qytetit dhe themelimi i dy komunave, thjeshtë komunave politike për ndarje etnike…Problemi më i madh që e ka karakterizuar Mitrovicën gjatë këtyre viteve ka qenë jo stabiliteti politik, protestat, demonstratat e përhershme, vija kufitare këtu dhe funksionimi i strukturave paralele të Serbisë në anën veriore…Do të thotë Mitrovica për një kohë të gjatë ka vuajtur jo stabilitetin dhe një lloj pësimizmi të qytetarëve që kanë jetuar këtu. Mendoj se nga viti 2013/14 situata fillon të ndryshojë në mënyrë radikale. Kemi ndryshim të dukshëm në aspektin e stabilitetit politik, por edhe të sigurisë… Juve nuk ju shohim vetëm si mënyrë e të hyrave financiare, por mendojmë që t’ju krij ojmë mundësi edhe për vendimmarrje në politikë si në nivelin lokal ashtu edhe atë republikan, por në anën tjetër t’ju krijojmë mundësi edhe atyre që duan me investu”, ka thënë Mujka.

Në anën tjetër, mysafirët kanë parashtruar pyetje të ndryshme, disa prej të cilave kanë të bëjnë me shkëmbimin e praktikave më të mira për zhvillim të vendit në nivel lokal.

Ndryshe, pas këtij takimi përfaqësuesit e diasporës kanë vizituar urën e Ibrit dhe Fabrikën e kërpudhave  ‘Hirano Mashroom’ në fshatin Gushavc të Mitrovicës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat