Mujka priti përfaqësuesit e transportuesve të udhëtarëve

Mitrovica

Mujka priti përfaqësuesit e transportuesve të udhëtarëve

Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:06
Mujka priti përfaqësuesit e transportuesve të udhëtarëve

Drejtuesit e Shoqatës së Transportuesve të Udhëtarëve, me në krye Ragip Ukën, kryetar janë pritur nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, me të cilët ka biseduar për vështirësitë dhe problemet në të cilat ata po hasin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Ata i thanë nënkryetarit Mujka, se aktualisht problemi kryesor i tyre është numri i madh i taksive ilegale të cilët në mënyrë joligjore  dhe pa leje pune po bëjnë transportimin e qytetarëve, me ç’rast po i dëmtojnë rëndë interesat e transportuesve të rregullt dhe të  regjistruar sipas rregulloreve e dispozitave ligjore.

“Është një numër i madh i taksistëve joligjorë që po punojnë të pa penguar nga askush dhe në këtë mënyrë po na dëmtojnë neve që paguajmë taksa komunale e të tjera dhe punojmë ligjërisht. Ne jemi ankuar në Ministrinë përkatëse për këtë problem, por ata na kanë thënë se sipas ligjit, komunat janë të obliguara që të pengojnë këtë veprimtari ilegale”, tha kryetari i Shoqatës së Transportuesve të Udhëtarëve, Ragip Uka.

Ai tha se për këtë arsye kanë ardhur në Komunë për të kërkuar që organet komunale të marrin të gjitha masat për respektimin e ligjit  dhe pamundësimin e veprimtarisë ilegale të atyre që po na shkaktojnë dëme dhe pengesa gjatë ushtrimit të veprimtarisë tonë ligjore.

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, tha se ka mirëkuptim për vështirësitë e transportuesve legal të udhëtarëve dhe për kërkesat e tyre.

“Ky është një problem i kahershëm me të cilin ju po ballafaqoheni dhe fatkeqësisht asnjëherë deri tash nuk është zgjidhur. Ne në Komunë do të ulemi dhe do të bisedojmë për ta diskutuar gjithanshëm me të gjithë sektorët përkatës këtë problem  që për juve është i madh dhe për të cilin ne kemi mirëkuptim. Do të bëjmë çmos që problemi të zgjidhet në të mirë të gjitha palëve të interesuara, por duke respektuar dispozitat ligjore”, tha ai ndër të tjera.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat