Shënohet Dita e të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë

Mitrovica

Shënohet Dita e të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë

Më: 15 prill 2018 Në ora: 14:42
Familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve.

Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, është shënuar sot Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, tha se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 19 viteve është krenare e stoike.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë nga veriu dhe është duke bërë gjithçka për ta bashkuar këtë qytet, ndërsa do të punojë deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit në vend.

Lluka: Nuk do të heqim dorë nga pjesa jonë e Mitrovicës

“Mitrovica sot me siguri ka shumë dhimbje e lot, mirëpo edhe pas 19 viteve Mitrovica është krenare dhe stoike…Nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe nuk do të heqim dorë nga pjesa jonë e Mitrovicës dhe unë shpresoj se qeveria me kryeministrin Haradinaj është duke bërë çdo gjë për ta bashkuar Mitrovicën dhe për të qenë bashkë me ju….Qeveria e Kosovës ka prioritet çështjen e martirëve dhe të zhdukurve dhe nuk do të heqim dorë për asnjë moment deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit të Kosovës”, ka thënë Lluka.

Ai premtoi se projekti i Muzeut do të futet ndër prioritetet e qeverisë dhe do të finalizohet vitin e ardhshëm, kur edhe do të shënohet 20 vjetori i të pagjeturve dhe martirëve të kësaj ane.

Përfaqësuesi i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Çerkini, ka potencuar dy probleme si shqetësim jashtëzakonisht të madh, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si dhe injorimin e plotë të zyrtarëve komunalë ndaj kësaj ngjarje.

Ai kërkoi nga organet përgjegjëse t’i përmbushin premtimet, në mënyrë që ‘Shtëpia muze’ të rregullohet dhe të marrë pamjen që e meriton vitin e ardhshëm.

Çerkini: Në Mitrovicë kemi 116 të pagjetur

“Kemi dy probleme shumë të mëdha, zbardhja e fatit të të pagjeturve. Në Mitrovicë kemi 116 të pagjetur, kanë qenë gjithsej 338, andaj nuk guxojmë të themi se nuk është bërë asgjë. Problemi i dytë që është mëkat shumë i madh po më vjen shumë keq, por me shku me xhipa, kurse nesër është Dita e eksodit në Kukës, dhe këtu sot nuk janë, ndërsa kanë premtuar katër vite se ky muze do të rregullohet…Ju kisha lutur, atë që e premtoni edhe ta realizoni dhe  vitin e ardhshëm kur bëhet 20 vjetori, të realizohet ky projekt”, theksoi Çerkini.

Në anën tjetër, Murat Isufi, shef i Zyrës së Mirëqenies Sociale në komunën e Mitrovicës, tha se martirët do të jetojnë gjithmonë dhe se vepra e tyre është e pavdekshme.

Isufi: Këta do të jetojnë gjithmonë

“Dëshmorët dhe martirët kanë vetëm datë të lindjes, por jo edhe të vdekjes, sepse këta do të jetojnë gjithmonë, do të jenë edhe atëherë kur ne nuk jemi, vepra e tyre e pavdekshme”, tha ai.

Ndryshe, pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e martirëve në Shipol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat