Përkujtohet masakra më e madhe në Mitrovicë

Mitrovica

Përkujtohet masakra më e madhe në Mitrovicë

Më: 14 prill 2018 Në ora: 14:42
Mitrovicë

Në 19 vjetorin e masakrës më të madhe në qytetin e Mitrovicës, ku ishin vrarë 31 veta nga ana e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, përfaqësues të institucioneve komunale kanë vendosur sot lule dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore me emrat e viktimave.

Të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave dhe një numër i qytetarëve.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha me këtë rast se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore kriminale serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

Sipas tij, sot është një ditë plot dhimbje, ditë pikëllimi e mallëngjimi, por gjithsesi ditë krenarie, sepse fal tyre sot gëzohet liria.

Ai premtoi se vitin e ardhshëm, atëherë kur do të shënohet 20 vjetori i kësaj dhe masakrave tjera në Mitrovicë, do të realizohet një projekt i gjithmbarshëm që në mënyrë dinjitoze të kujtohen të gjithë martirët e rënë në Mitrovicë.

Mujka: Ditë e mbushur plotë dhimbje

“Është një ditë e mbushur plotë dhimbje për qytetarët, posaçërisht familjarët e tyre, një ditë pikëllimi, mallëngjimi, që gjithsesi duhet të përkthehet në ditë krenarie sepse fal tyre, edhe pse të vrarë mizorisht e barbarisht, ata kontribuuan që ne të jetojmë sot dhe ta gëzojmë lirinë që kemi…Duhet të jemi përjetësisht falënderues ndaj tyre… Institucionet lokale, si dhe ato shtetërore nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim dhe apeloj që Kuvendeve Komunale t’iu rritet buxheti në mënyrë që ato sa më mirë t’iu dalin ballë familjarëve…Viti i ardhshëm duhet të na presë me një projekt të gjithëmbarshëm që në mënyrë dinjitoze t’i kujtojmë martirët e rënë”, ka thënë Mujka.

Familjarët e viktimave kanë kërkuar kujdes më të madh nga institucionet lokale e qendrore.

Flora Peci, motra e njërit nga viktimat që ishte vrarë më 14 prill të vitit 1999, u shpreh krenare që pati çka të jap për Kosovën, ndërsa ka kritikuar institucionet për premtime të zbrazëta.

Peci: Të rregullohen varrezat

“Jam motra e njërit nga viktimat dhe jam krenare që jam sot këtu. Jam krenare që pata çka të jap për Kosovë…Çdo parti politike në pushtet ka premtuar shumë ndërsa ka rënë në hiç. Prapë është apeli që të rregullohen varrezat e tyre, që madje nuk vizitohen nga askush”

Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, i cili kishte ekspozuar 120 fotografi të ndryshme që flasin për masakrat në komunën e Mitrovicës, tha se kjo ditë simbolizon masakrën më të madhe, ndër gjithsej 18 masakrat që kanë ndodhur në Mitrovicë.

Ai ka kritikuar po ashtu institucionet e vendit për mos kujdesin ndaj familjarëve të martirëve.

Barani: Janë pushkatuar 31 shqiptarë

“14 prilli ishte masakra më e madhe për Mitrovicën… ku janë pushkatuar 31 shqiptarë…Këtu kam ekspozuar 120 fotografi që flasin të gjitha gjuhët e botës për tmerrin që është ushtruar mbi popullatën shqiptare nga ushtria, policia, civilë dhe paraushtarakët serbë… Institucionet lokale dhe ato qendrore i kanë shtirë vesh në lesh dhe i kanë vënë syzet të salduesve që saldojnë me aparat elektrik dhe as nuk shohin as nuk dëgjojnë dhe as nuk dinë çka ka ndodhë dhe as që janë të interesuar të dinë”, theksoi Barani.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat