Nënkryetari Mujka, ka mirëpritur në një takim përfaqësueset e larta të organizatës “Women 4 Women”

Mitrovica

Nënkryetari Mujka, ka mirëpritur në një takim përfaqësueset e larta të organizatës “Women 4 Women”

Më: 5 mars 2018 Në ora: 08:58
Faruk Mujka, ka pritur në një takim përfaqësueset e larta të organizatës “Women 4 Women”

Gjatë një takimi të realizuar në ambientin e komunës së Mitrovicës, nënkryetari Faruk Mujka , ka pritur në një takim përfaqësueset e larta të organizatës “Women 4 Women”, OJQ kjo e cila veprimtarin e saj e ushtron në Kosovë.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte prezantimi i projektit "Gratë në vendimmarrje"i cili projekt mbështetet nga skema; Promovimi i Shoqërisë Demokratike i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës .

Drejtoresha e kësaj organizate, Iliriana Jaka Gashi, theksoj gjatë bisedës se ky projekt ka për qëllim pjesëmarrjen e grave në proceset e vendimmarrjes përmes edukimit, avokimit dhe ndryshimit të politikave në nivel lokal. Ajo shtjelloj më tej se nga Komuna e Mitrovicës është shumë e rëndësishme pregaditja dhe miratimi i një rregulloreje, që do të kishte për qëllim imponimin e kuotës gjinore për përfshirjen e grave në nivel të këshillave të fshatrave dhe lagjeve në këtë komunë.

Fjalën e mori po ashtu edhe Besa Kasneci, koordinatore e projektit “Gratë në vendimmarrje" ku bëri të ditur se nëpërmjet këtij projekti synohet që t’i informojnë dhe ti inkurajojnë gratë që të bëhen pjesë e këtyre strukturave, t’i kyçin asamblistët në këtë drejtim dhe të kërkojnë përkrahjen e tyre për përfshirje sa më të madhe të grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet.

Në fjalën e tij nënkryetari Mujka, vlerësoi lartë veprimtarinë që ushtron kjo organizatë, duke premtuar më tutje se Komuna e Mitrovicës, do të ofroj mbështetje në realizimin e projekteve që kanë për qëllim barazinë gjinore, pasi që vetëm në këtë mënyrë, duke i shfrytëzuar aftësitë, njohuritë dhe burimet, gratë do të jenë në gjendje të krijojnë ndryshime të qëndrueshme për vetveten, familjet dhe komunitetet e tyre.

Në vazhdim nënkryetari Mujka,theksoi se gjatë themelimit të komiteteve dhe komisioneve komunale, Kuvendi Komunal ka respektuar në përpikëri kuotën gjinore sipas udhëzimit administrativ.

Vlen të theksohet se organizata në fjalë, ka për mision mbështetjen e grave të margjinalizuara në Kosovë, në mënyrë që ato të fitojnë dhe kursejnë të ardhura, të përmirësojnë shëndetin e mirëqenien e tyre,të ndikojnë në marrjen e vendimeve në shtëpi e komunitet dhe të lidhen me rrjetet për mbështetjen e tyre.

Organizata “Women 4 Women”, deri më tani në Kosovë, i ka shërbyer rreth 32,000 grave, duke mbajtur trajnime profesionale bazuar në nevojat e tregut.

Po ashtu kanë mbajtur trajnime të aftësive të buta përmes Zyrës për Punësim, me ç'rast kanë ndihmuar plotësisht 600 gra për të gjetur punë, kanë mbështetur mbi 30 grupe të grave gjatë zyrtarizimit të tyre në shoqata dhe kooperativa, kanë mbajtur trajnime rreth ndërmjetësimit për komunikimin me gratë për vendimmarrje, bizneset, punëdhënësit, blerësit, etj por edhe kanë trajnuar burrat si aleatë për fuqizimin e grave.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat