Gjykimi për gjuajtjen me armë drejt traktorit në lëvizje

Mitrovica

Gjykimi për gjuajtjen me armë drejt traktorit në lëvizje

Më: 20 janar 2018 Në ora: 10:21
Ndertesa e Gjykates Themelore ne Veri te Mitrovices

Sabit e Avdyl Dibrani u deklaruan të pafajshëm për vrasjen në tentativë të tre personave dhe rrezikimin e dy të tjerëve.

Dy të akuzuar për tentim-vrasjen e tre personave dhe rrezikimin e jetës së dy të tjerëve, u deklaruan të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Sabit e Abdyl Dibrani, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, thane se nuk e ndienin veten fajtorë.

Prokuroria akuzon Sabit Dibranin dhe Avdyl Dibranin se më 24 shtator të vitit të kaluar rreth orës 15:30 minuta në fshatin Vernice të Komunës së Mitrovicës së bashku me dashje kanë tentuar qe të privojnë nga jeta të dëmtuarit Adem Xhemajli, Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli.

Sipas aktakuzës, shkak i vrasjes në tentativë ishin çështjet pronësore.

Në aktakuzë thuhet se derisa të dëmtuarit ishin duke u kthyer në shtëpi nga mali me traktor të ngarkuar me dru, të pandehurit kishin shtënë në drejtim të tyre.

Traktorin kishte qenë duke e drejtuar Adem Xhemajli, kurse Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli ishin të ulur mbi drunjtë në rimoriko të traktorit.

Më tutje në aktakuzë shpjegohet si kishte ndodhur ngjarja.

“Derisa rimorkio ishte në lëvizje, i pandehuri Sabit Dibrani me armë automatike me karikator në të cilin ka pasur 33 fishekë, kurse i pandehuri tjetër Avdyl Dibrani me pistoletë nga dritarja në katin nën kulm të shtëpisë dhe te muri i oborrit kanë shtënë nga armët në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza sqaron se nga predhat e plumbave është goditur Remzi Xhemajli, ndërsa është rrezikuar edhe jeta e Qerime dhe Hidajete Rexhepit që ishin në oborrin e shtëpisë së tyre.

Predhat e plumbave, sipas aktakuzës, kishin qëlluar edhe traktorin në lëvizje.

Përveç për vrasje në tentativë, Sabit e Abdyl Dibrani akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Shqyrtimi i dytë për këtë çështje nuk do të mbahet, por kryetari i trupit gjykues Beqir Halili i njoftoi palët se kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre.

Lidhur me këto kundërshtime do të vendoset jashtë seancës gjyqësore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat