Visar Ymeri: Është koha për zhvillim e progres në Mitrovicë, është koha për VV-në dhe Fehmi Feratin

Mitrovica

Visar Ymeri: Është koha për zhvillim e progres në Mitrovicë, është koha për VV-në dhe Fehmi Feratin

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 18:06
Visar Ymeri

Në tubimin e mbajtur të Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë, kryetari i kësaj partie ka kritikuar pushtetarët për ndarjen që i kanë bërë këtij qyteti dhe për shkatërrimin e vazhdueshëm të Trepçës.

“Trepçën po ua shkatërrojnë, pasurinë ua vodhën, uzurpuan, shitën e privatizuan, vendet e punës ua morën, lumin Ibër e shndërruan në vijë ndarëse, e urën përmbi të në vijë kontrabande, vijë që lidh krimin e organizuar - Veselinoviqi në veri e Veseli në jug. Por ju nuk u dorëzuat. Në këmbë po qëndroni. Gradualisht, por sigurtë, po ua ktheni. Ia kthyet më 11 qershor. Ua shkundët dritat koalicioneve të territ. Tash do t’ua ktheni edhe më 22 tetor”, tha Ymeri para mitrovicasve.

Ai më tej ka thënë se komuna e qytetarëve është solidare dhe se çdo fshat dhe çdo lagje qyteti i ka nevojat dhe specifikat e veta, por se çështjet lokale janë në të vërtetë edhe çështje qendrore. E për këtë ai tha se trajtimi i tyre si pjesëza të ndara nga tërësia, i zgjidh ato pjesshëm në rastin më të mirë ose zakonisht i lë të pazgjidhura dhe e përkeqëson gjendjen.

“Rrjeti i rrugëve, rrjeti i kanalizimit, rrjeti i ujësjellësit, rezervuarët e ujit, sistemi i ujitjes, planifikimi hapësinor, ruajtja e tokës bujqësore, zhvillimi i bujqësisë, mbrojtja e mjedisit, kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, shfrytëzimi efiçient i energjisë, transporti, ndërveprimi ekonomik, ai tregtar, industria e punësimi, nuk mund të zgjidhen në vetëm një qytet, një fshat, apo një Komunë. Këto nuk zgjidhen duke u ndarë.  Ato do të zgjidhen duke u bashkuar“, tha po ashtu Ymeri.

Kryetari i VV-së ka folur edhe mbi rëndësinë e investimit në infrastrukturën fizike, arsimore, shëndetësore, prodhuese, energjetike, mjedisore dhe rekreative, si parakusht i mirëqenies dhe zhvillimit. Kurse ka thënë se nuk ka mirëqenie e nuk mund të jemi mirë, kur hapësirat publike zvogëlohen nga uzurpimi, e ajri e uji, trotuaret e rrugët na ndoten nga mospastrimi.

“Janë dy komponente kryesore me të cilen matet gjendje  e një vendi. Zhvillimi dhe liria. Të dyja këto shkojnë bashkë, njëra pa tjetren nuk bën.Liria është parakush i zhvillimit. Këtë na e tregon Mitrovica: Pa bashkim të qytetit minierat i kemi të ndara, edhe shkritorja është uzurpuar prej strukturave të Serbisë. Trepça dikur i ka punësuar mbi 24 mijë punëtorë, kurse sot është qyteti me përqindjen më të lartë të papunësisë. Por, edhe e kundërta vlen, pa zhvillim, liria është liri negative, liri për arratisje, për ta marrë botën në sy: Mitrovicës me 56% papunësi, e me numrin më të madh të qytetarëve nën asistencë sociale, më së shumti i është zvogëluar numri i banorëve. Ikjet masive që po ndodhin në nivel vendi viteve të fundit, në Mitrovicë janë fenomen i rregullt“, tha ndër të tjera Visar Ymeri.

Duke potencuar se tokat bujqësore rrijnë djerrë të papunuara, se industria po punon për interesa të kompanive të huaja e serbe, e jo per përfitim të qytetarëve tanë, emigrimin e rinisë e varfërinë në rritje, Ymeri iu ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës për ndryshim. Ai ka thënë se është koha që Mitrovica të zhvillohet, të ketë shërbime të mira shëndetësore e arsim cilësor, si dhe zhvillim të bujqësisë.

“Është koha e juaj. Koha jonë. Koha e Fehmi Feratit Koha e Asambleistëve të VETËVENDOSJE !-s Mitrovicës bashkë ia kemi dhënë zemrën. Për Mitrovicën bashkë i kemi thirrur mendjes. Jemi mbledhur rreth numrit 10, dhjetëfish më shumë se të tjerët. Jepja 10-she Mitrovicës. Jepja Fehmi Feratin Mitrovicës! Jepja VETËVENDOSJE !-në Mitrovicës! Që t’ia kthejmë Mitrovicën qytetarëve“, ishte porosia e Ymerit për mitrovicasit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat