Kurti: Fehmi Ferati, VV dhe numri 10 përbëjnë treshen fituese në Mitrovicë

Mitrovica

Kurti: Fehmi Ferati, VV dhe numri 10 përbëjnë treshen fituese në Mitrovicë

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 17:49
Albin Kurti

Deputeti Albin Kurti e ka hapur tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë, duke thënë se komuna është komunë e mirëqenies.

“Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarët ia sjellin rrymën, ujin, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin,  këndin e lojërave  e fushën e sportit”, ka thënë Kurti gjatë këtij tubimi.

Ai më tej tha se komuna nuk është vetëm administratë e as vetëm përfaqësim, e as vetëm ndertesa e  tatime. Ai tha se ajo është e tërë: politikë, qytetari, ekonomia, shërbimet dhe publikja.

“Fehmi Ferati, Vetëvendosje! dhe numri 10 përbëjnë treshen fituese”, tha po ashtu Albin Kurti, duke u shprehur i bindur se pas 22 tetorit VV do të qeverisë me Mitrovicën.

Kurti tha se Ferati është kandidati më i mirë për Mitrovicën, duke përmendur edhe aktivitetin e tij ndër vite.

Vlora Haxhimehmedi fton gratë dhe vajzat që të mobilizohen për ndryshimin e madh në Mitrovicë

Image

Kandidatja për Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga VV dhe Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Haxhimehmedi, në tubimin e mbajtur sot ka thënë se udhëheqja e tre drejtorive nga VV gjatë qeverisjes së fundit komunale, e ka dëshmuar se ndryshimi është i mundur.

“Këtë Lëvizja Vetëvendosje! e ka dëshmuar përmes presionit për realizimin e shpërndarjes së shujtave për nxënësit e shkollave fillore të Mitrovicës,

përmes trasnparencës në ndarjen e subvencioneve. Përmes mbrojtes nga privatizime të padrejta si ai që u përpoqën t’i bënin pallatit të sportit ‘Fatime Xhaka’. Përmes përmirësimit të shërbimit shëndetësor dhe hapjes dhe shpeshtimit të vizitave shëndetësore. Me mbështetjen e shtuar për shoqërinë civile dhe klubet sportive, por edhe përmes aktiviteteve të shtuara arsimore si “Mitrovica Lexon” dhe me 50 aktivitete të reja kulturore që ushqejnë shpirtin artdashës të qytetit tonë”, tha Vlora Haxhimehmedi.

Megjithatë, ajo këtë e ka quajtur ndryshim të vogël, ndaj bëri thirrje për mbështetje të VV’së, që kjo e fundit ta udhëheq komunën, duke kujtuat se në zgjedhjet e fundit VV doli partia e parë në Mitrovicë.

“Më 22 tetor, me numrin 10, Mitrovica do sjellë ndryshimin e shumëpritur, ndryshimin e vërtetë! Këtë ndryshim e presin më së shumti ata që sot vuajnë në Mitrovicë nga varfëria. Mitrovica është një prej komunave me nivelin më të lartë të pabarazisë në të gjithë vendin dhe me gjendje tepër të rënduar ekonomike. Mitrovica është sot një komunë e copëtuar, të cilës po përpiqen t’i heqin edhe më shumë territor, Keshtu strukturat parale të Serbisë po përpiqen të marrin nën kontroll edhe Suhodollin, Gushafcin, Vidishiqin, Vidimriqin e Vinarcin.

Më 22 tetor kjo përpjekje e tyre grabitqare do të ndalet një herë e mirë nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje!”, tha po ashtu Haxhimehmedi.

E thirrje të veçantë, ajo pati për gratë e vajzat e Mitrovicës duke i ftuar në angazhim e mobilizim, për të sjellë ndryshimin që garanton barazi për të gjithë. Në fund ajo tha se fitorja dhe ndryshimi vijnë vetëm më përfshirjen e grave dhe vajzave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat