Mitrovicë: Bashkëpunim i shkëlqyeshëm i zjarrfikësve shqiptarë e serbë

Mitrovica

Mitrovicë: Bashkëpunim i shkëlqyeshëm i zjarrfikësve shqiptarë e serbë

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 08:15
Zjarri

Zjarret që kanë përfshirë ditët e fundit rajonin e Mitrovicës shkatërruan qindra hektarë pyje në disa lokacione të kësaj komune.

Ato kishin rrezikuar edhe shtëpitë e disa lagjeve në këtë rajon, por falë angazhimit dhe mobilizimit të njësive të zjarrfikësve shqiptarë e serbë, nga komunat jugore dhe veriore të rajonit të Mitrovicës, por edhe të vetë qytetarëve, shtëpitë janë shpëtuar pa i përfshirë zjarri.

Qytetarët lavdërojnë punën e suksesshme të zjarrfikësve, duke thënë se ky është një shembull i mirë se si mund të bashkëpunohet dhe të organizohen shërbime të përbashkëta të komunave në dobi të qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Arbenita Shala, qytetare nga jugu i Mitrovicës, konsideron të mrekullueshme punën e zjarrfikësve shqiptarë e serbë, që kanë bërë ditët e fundit në rajonin e Mitrovicës.

“Ata janë heronj të vërtetë, sepse kur është në pyetje jeta e qytetarëve dhe pronat e tyre, nuk duhet shikuar etninë, fenë etj”, ka thënë Shala për Kp.

Ajo ka uruar që një bashkëpunim i tillë mes pjesëtarëve të institucioneve të jugut dhe veriut të Mitrovicës të vazhdojë edhe në fusha tjera.

Edhe Danillo Kostiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka vlerësuar angazhimin maksimal dhe punën e madhe të zjarrfikësve nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës, të cilët kanë bërë në lokalizimin e zjarreve dhe evitimin e pasojave të rënda që kanë mundur të ndodhin.

“Akti i zjarrfikësve është mësim dhe inspirim për qytetarët, qytetin tonë, dhe në mënyrë të veçantë për të gjitha ato familje që shpëtuan nga një tragjedi e mundshme”, tha Kostiq.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Musa Dragaj, i cili ka menaxhuar situatat vazhdimisht nga afër, ka bërë të ditur se bashkëpunimi në mes të njësiteve të zjarrfikësve të komunave jugore dhe veriore të Mitrovicës, por edhe të komunave tjera përreth, ka qenë i kënaqshëm.

Sipas tij, fal punës së përbashkët janë lokalizuar me sukses zjarret e fuqishme që përfshinë mbi 100 hektarë pyje, në dy lokacione të ndryshme të Komunës së Mitrovicës, përreth kodrës së Cërnushës në fshatin Kqiq, por edhe në disa lokacione tjera.

“Siç dihet, gjatë këtyre ditëve ku ka mbretëruar vapë e madhe kemi pasur zjarre nëpër disa zona të komunës tonë. Bashkëpunimi në mes të ekipeve apo brigadave të zjarrfikësve të komunave jugore, veriore të Mitrovicës, Zveqanit dhe komunave tjera të cilat janë përreth, ka qenë në nivel të kënaqshëm. Më datën 7 gusht bie fjala, kemi pasur zjarrin e parë që ka ndodhur në fshatin Kçiç. Gjatë orëve të pasdites, por edhe rreth mesnatës, kemi pasur mbështetjen e njësiteve të zjarrfikësve të veriut të Mitrovicës. Vlen të theksohet se edhe tek lokacioni i Kërshit të Dudës afër motelit, përveç njësiteve tona, kanë reaguar edhe ato të komunës së Zveqanit. Kështu që marr në përgjithësi, bashkëpunimi i njësiteve të zjarrfikësve të komunave jugore dhe veriore, ka qenë i mirë dhe në nivel”, ka thënë Dragaj.

Në lidhje me shkaqet e zjarreve, Dragaj ka përmendur temperaturat e larta, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e faktorit njeri në disa raste.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka konfirmuar bashkëpunimin e mirë në mes të njësiteve nga veriu dhe jugu i Mitrovicës.

Ai këtë bashkëpunim e quajti të natyrshëm, meqë këto njësite funksionojnë në kuadër të Institutit Kombëtar për Menaxhimin Emergjent të Kosovës.

“Po, mund të konfirmoj bashkëpunimin shumë të mirë në mes të njësiteve të zjarrfikësve nga jugu dhe veriu në situata çfarë kanë ndodhur ditëve të fundit në rajonin e Mitrovicës rreth zjarreve. Po e përmendi vetëm rastin e fundit, kur objekti i ashtuquajtur ‘i personave të vetmuar’ që ndodhet afër Gjykatës në veri të Mitrovicës, u përfshi nga zjarri. Përveç njësiteve të zjarrfikësve nga veriu, kemi pasur mbështetjen edhe prej njësiteve nga jugu i qytetit të Mitrovicës, madje edhe nga Vushtrria”, theksoi Hoti.

Ndryshe, në operacionet për shuarjen e zjarreve që kanë ndodhur nga data 7 gusht në rajonin e Mitrovicës, kanë qenë të angazhuar dhjetëra zjarrfikës me automjetet e tyre nga jugu dhe veriu i Mitrovicës, Vushtrria, Skenderaj, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Operacionet ishin të organizuara mirë dhe ekipet kanë funksionuar suksesshëm, ndërsa në shuarjen e zjarreve ishin të angazhuar edhe një numër i madh i banorëve që jetonin përreth zonave të përfshira nga zjarri. 

Image
Zjarri
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat