Namazi i Bajramit falet për herë të parë tek xhamia e Ibrit në veri

Mitrovica

Namazi i Bajramit falet për herë të parë tek xhamia e Ibrit në veri

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 07:36
Bajrami në Mitrovicë

(E plotësuar) -  Qindra qytetarë, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë falur sot namazin e Fitër Bajramit për herë të parë 18 vjet pas luftës, në vendin ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri të Mitrovicës.

Ata u shprehën tejet të lumtur që pas 18 vitesh sërish po dëgjohet ezani në këtë vend.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu, ka uruar që shqiptarët e veriut, por edhe të tjerët, në të ardhmen të falen në këtë vend ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri, dhe jo nëpër xhamitë e ndryshme në jug të qytetit.

Sipas tij, falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të Bashkësisë Islame me komunën dhe me të gjitha instancat e sigurisë, është arritur që më në fund të bëhet falja e namazit të Bajramit në këtë vend.

Ai potencoi se BI-ja do të vazhdojë të kërkojë që xhamia e Ibrit t’i kthehet vendit ku ka qenë dhe ku e meriton.

Veliu: Do të kërkojmë me tërë potencialin tone që xhamia t’i kthehet vendit ku e meriton

“Gjithsesi se vet islami është paqe, edhe ne si prijës të Bashkësisë Islame jemi të ftuar që maksimalisht ta ruajmë paqen, ta kultivojmë atë, dhe pasi që situata është rregulluar në aspektin e sigurisë, e që shpresojmë që të avansojë edhe më shumë, në bashkëpunim të jashtëzakonshëm me komunën e Mitrovicës, dhe me të gjitha instancat e sigurisë, më në fund është arritur që pa problem të sigurohet dhe të bëhet falja e Bajramit në vendin ku ka qenë e ndërtuar xhamia e Ibrit, e që ne me tërë potencialin tonë kërkojmë dhe do të vazhdojmë të kërkojmë që xhamia t’i kthehet vendit ku e meriton”, ka thënë Veliu

Izet Feka, sekretar i BI-së në Mitrovicë, u shpreh se duhet të ngritet një tendë në këtë vend, që do t’iu mundësonte banorëve të këtushëm jo vetëm faljen e namazit të bajramit, por të paktën edhe faljen e xhumasë.

Feka: Shpresojmë që edhe xhumatë të falen këtu

“Të ngritet një tendë këtu për pjesëtarët e besimit islam të cilët jetojnë këtu për faljen edhe të vakteve tjera… Gjithsesi shpresojmë që edhe xhumaja të falet në këtë vend”

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendës drejtor i policisë për rajonin e veriut, tha se Drejtoria Rajonale e policisë në veri, në bashkëpunim me Drejtorinë e jugut, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së BI-së në Mitrovicë për të siguruar faljen e namazit të Bajramit në këtë lokacion.

Ai ka bërë të ditur se janë parashikuar edhe situatat e pakëndshme, andaj janë marr masat e duhura, duke përfshirë numër maksimal të pjesëtarëve të policisë, ndërsa ka falënderuar qytetarët nga të dy anët e qytetit për tolerancën qytetare e ndërfetare mes vete.

Hoti: Jam jashtëzakonisht i lumtur që edhe kjo ceremoni kaloi pa asnjë incident

“Drejtoria Rajonale e veriut në bashkëpunim me Drejtorinë në jug të Mitrovicës i është përgjigjur kërkesës zyrtare të BI-së në Mitrovicë për faljen e namazit të Bajramit…Normalisht që Policia e Kosovës ka treguar gatishmërinë dhe profesionalizmin e saj që të sigurojë tubimet publike edhe të kësaj natyre…Policia në radhë të parë falënderon qytetarët të të dyja anëve të qytetit të cilët tregojnë tolerancën qytetare dhe ndërfetare që të respektojnë ritualet e tilla fetare. Prandaj jam jashtëzakonisht i lumtur që edhe kjo ceremoni ka kaluar pa asnjë incident…Ne kemi marr parasyshë edhe situatat që mund të jenë të pakëndshme, fatmirësisht nuk kemi pasur fare, kemi pasur një numër maksimal të pjesëtarëve të policisë së Kosovës të cilët kanë siguruar në radhë të parë sigurinë për trafik rrugor që kjo të kalojë pa incidente, pastaj të gjitha këto rrugë dhe rrugica të cilat duhet t ë kontrollohen për parandalimin e qëllimeve të këqija të individëve të mundshëm”, theksoi Hoti.

Ceremonia e faljes së namazit është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. 

***

Qindra qytetarë kanë falur namazin e Fitër Bajramit për herë të parë 18 vjet pas luftës, në vendin ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri të Mitrovicës.

Ata u shprehën tejet të lumtur që pas 18 vitesh sërish po dëgjohet ezani në këtë vend.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu, ka uruar që shqiptarët e veriut, por edhe të tjerët, në të ardhmen të falen në këtë vend ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri, dhe jo nëpër xhamitë e ndryshme në jug të qytetit.

Image

Ceremonia e faljes së namazit është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat