Bahtiri dënon incidentet, kërkon vazhdimin e punëve përreth Urës së Ibrit

Mitrovica

Bahtiri dënon incidentet, kërkon vazhdimin e punëve përreth Urës së Ibrit

Më: 19 prill 2017 Në ora: 15:04
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, si dhe disa incidente ndëretnike të ditëve të fundit, që kanë ndodhur në të dyja pjesët e qytetit e Mitrovicës, ku viktima kanë qenë si serbët, ashtu edhe shqiptarët, njofton kumtesa komunale. Sot, Goran Rakic kishte kërkuar ndërprerjen e këtyre punimeve për shkak të sigurisë së qytetarëve serbë që jetojnë në atë zonë.

“Incidentet ndëretnike të ditëve të fundit, pavarësisht cilat janë motivet e tyre, janë të pa papranueshme, andaj edhe i dënoj ashpër dhe kërkoj reagimin sa më të shpejtë të organeve të hetuesisë, me qëllim që të zbulohen shakatarët dhe të vendosen para organeve të drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndërpriten ato”, thotë kryetari Bahtiri.

Sipas tij, këto incidente që po ndodhin në kohën kur në qytetin e Mitrovicës situata e përgjithshme është e qetë, kur përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është duke shkuar mirë, kur lëvizja dhe qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve po zhvillohet pa probleme në të dyja anët e lumit Ibër, kur punimet për rivitalizimin e urës po vazhdojnë pa pengesa.

Bahtiri vlerëson se është e pa nevojshme, e papranueshme dhe madje e dëmshme ftesa për ndërprerjen e punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër. Përkundrazi, shton ai, intensifikimi i punëve dhe inaugurimi në afatin e paraparë të urës, do të ndikojë në relaksimin e mëtutjeshëm të gjendjes dhe raporteve ndërmjet qytetarëve të komunës së Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat