Pacolli: Mitrovica sot është kthyer në binarë të drejtë

Mitrovica

Pacolli: Mitrovica sot është kthyer në binarë të drejtë

Më: 12 prill 2017 Në ora: 16:29
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli gjatë takimit në Mitrovicë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vizituar të mërkurën qytetin e Mitrovicës, ku së bashku me kryetarin Agim Bahtiri, janë takuar me qytetarët e kësaj komune për t’u njohur nga afër me të arriturat e deritashme këtu, por edhe vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen ata.

Fillimisht i pari i këtij qyteti, Agim Bahtiri, para kryetarit të tij partiak, por edhe qytetarëve të pranishëm, ka raportuar për të arriturat gjatë kohës së tij në pushtet. Ai duke potencuar se ka gjetur një gjendje të përgjithshme të rëndë në këtë komunë, si ekonomike, politike e të ngjashme, tha se me punën dhe angazhimin e tij të deritashëm, kjo gjendje ka ndryshuar pothuajse tërësisht.

Bahtiri: Misioni im ka qenë që njëherë e përgjithmonë ky qytet të jetë stabil

“E kam gjetur një qytet me 9860 incidente ndërnacionale, një qytet që nuk ka pasur asnjë vlerë në aspektin e zhvillimit ekonomik, për arsye se kemi gjetur një qytet të tensionuar dhe në ato vende ku ka tensione nuk ka as zhvillim ekonomik, as siguri për zhvillimin ekonomik dhe qyteti i Mitrovicës ka mbetur ndër qytetet më të varfra. Duke parë situatën e krijuar prej njerëzve të cilët vërtet kanë vënë në rend të parë interesat e tyre personale, grupore, apo partiake, dhe duke parë të gjitha këto, njerëzit nuk kanë mundur asnjëherë të zhvillohen. Ardhja ime nuk ka qenë e rastësishme, por me një mision. Misioni im ka qenë që njëherë e përgjithmonë ky qytet të jetë stabil, që ky qytet të largohet nga kthetrat e dikujt që kanë uzurpuar për përfitime personale dhe grupeve të caktuara, të njerëzve, të cilët janë thirrur dhe pasuruar në terrin që kanë krijuar, dhe tensionet e krijuara atyre ju kanë mundësuar që të bëjnë kontrabandë dhe përfitime tjera për të mos e lënë asnjëherë qytetarin e lirë, qytetarin e qytetëruar, që të përfitojë apo ta ndihmojë vendin. Kështu që ardhja ime ka qenë që këto dukuri të zhduken. Unë kam premtuar se njëherë e përgjithmonë të këputet zinxhiri komandues Prishtinë- Beograd, duke përfituar njerëz zinxhiror, dhe zinxhiri me kënaqësinë e veçantë zoti president është këputur në Mitrovicë”, ka thënë Bahtiri.

Fixhrie Bahtiri, shefe e Grupit Parlamentar të AKR-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, njëherësh motra e kryetarit Bahtiri, ka falënderuar presidentin Pacolli për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

Sipas saj, është punuar shumë në mirëqenien e qytetarëve, ndërsa rrugën të cilën e trasoi presidenti Pacolli, e ka vazhduar me sukses edhe kryetari Bahtiri në Mitrovicë.

Bahtiri: Puna që bëhet në KK të Mitrovicës është e shkëlqyeshme

“Puna që bëhet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës nuk mund të them që është e mirë, por e shkëlqyeshme. Pikat të cilat u janë dedikuar qytetarëve, vërtet kanë qenë për mirëqenien e qytetarit, për një jetë më të mirë të qytetarit dhe në shumicë të gjitha kanë kaluar ashtu edhe siç i kemi paraparë ne. Unë jam shumë mirënjohëse vetë presidentit Pacolli, sepse rrugën të cilën ai e ka trasuar, e ndjek edhe kryetari Bahtiri, dhe vërtet punën që e bëjmë ne këtu në qeverisjen lokale, por edhe në Degën e AKR-së punohet shumë pa menduar se kush dhe si flet majtas apo djathtas, por vetëm me punë të drejtë dhe angazhim për një fitore edhe më të madhe për më tutje”, tha ajo.

Në anën tjetër, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, takimin e sotëm me qytetarë  e ka quajtur vazhdimësi e programit të suksesshëm për Mitrovicën. Ai u shpreh po ashtu mirënjohës për kryetarin Bahtiri dhe punën e tij, për të cilin tha se ka mbajtur fjalën dhe ka arritur me sukses të realizojë qëllimet e veta për të mirën e qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

Pacolli: Mitrovica sot është kthyer në binarë të drejtë

“Unë sot e them me plot gojë se punët të cilat janë bërë në Mitrovicë janë punë të dinjitetshme, punë që mund të ndodhin vetëm e vetëm nëse dikush e do punën, nëse promotori i këtyre punëve është një njeri që ka shpirt dhe e do punën, e kjo ka ndodhur në Mitrovicë. Unë i kam parë edhe trotuaret në Mitrovicë, sheshin, po i shoh edhe punët tjera, e di angazhimin e kryetarit që ka bërë edhe në këtë sferën tjetër ndërkombëtare për hapjen e urës, dhe të gjitha ato vuajtje që ka bërë që sot kjo urë të rindërtohet dhe të jetë simbol i paqes dhe të mirës. Sot kemi një qytet modern, ku kryetari thotë se sot këtu vinë pëllumbat, është shumë e vërtetë pëllumbat vinë aty ku ka paqe, ku ka shpirt, dhe ky qytet është duke marr shpirtin. Siç po e shihni, ka shumëçka për t’u vizituar sot në Mitrovicë, dhe sinqerisht shumë qytete e komuna në Kosovë ua kanë lakmi. Ju them se nuk është bërë as nisma e a saj çka në të vërtetë ky qytet dhe qytetarët e saj meritojnë. Mitrovica sot është kthyer në binarë të drejtë dhe ju e dini se nëse diçka është në binarë të drejtë, atëherë duhet edhe pak shtyrje, dhe punët do të shkojnë shumë mirë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli së bashku me Bahtirin dhe bashkëpunëtorët tjerë, është njoftuar nga afër edhe me projektet e rëndësishme të qytetit të Mitrovicës, siç janë Qendra Tregtare, Kompleksi Multifunksional Sportiv, sheshi kryesor, punimet në urën kryesore mbi Ibër etj., ndërsa gjatë vizitës në Fabrikën e kërpudhave ‘Hirano’ në fshatin Gushavc, takoi një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat