Në qendër të Mitrovicës do të ndërtohet një shatërvan (fontanë) e bukur

Mitrovica

Në qendër të Mitrovicës do të ndërtohet një shatërvan (fontanë) e bukur

Më: 6 prill 2017 Në ora: 16:08
ilustrim

Sheshit të  rregulluar bukur “Mehë Uka”, në qendër të qytetit, do t’i shtohet akoma hijeshia. 

Në këtë shesh, përkatësisht në hapësirën ndërmjet Shtëpisë së mallrave “Emona” dhe restorantit të KFC-së, të sapo inauguruar, do të ndërtohet brenda dy muajve një shatërvan (fontanë) e bukur, çfarë nuk ka ende në Kosovë.

Biznesmenët e njohur, Fatmir Zymberi, pronar i KFC-së dhe Agron Mikullovci, pronar i “Emonës”, kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin që me mjete të veta financiare të ndërtojnë shatërvanin (fontanën),  në hapësirën ndërmjet dy objekteve të tyre afariste.

Këtë vendim të tyre, zotërinjtë Mikullovci e Zymberi, ia kanë paraqitur të enjten kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, në zyrën e tij, duke i thënë se këtë po e bëjnë për të nderuar e respektuar qytetarët e Mitrovicës, të cilët meritojnë të kenë një hapësirë të tillë ku mund të relaksohen dhe pushojnë.

Ata i thanë kryetarit Bahtiri, se brenda pak ditësh do t’i dorëzojnë objektin ideor të një shatërvani (fontane) të ngjashme me ato nëpër metropolet evropiane, duke kërkuar nga ai që shërbimet e komunës t’i kryejnë menjëherë të gjitha procedurat ligjore për fillimin dhe mbarimin e e punëve pa pengesa.

Kryetari Bahtiri, falënderoi shumë investitorët Zymberi e Mikullovci për këtë donacion, të cilin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët e Mitrovicës.

“Jam shumë i lumtur që ju zotërinjtë Mikullovci e Zymberi, keni shpreh dëshirën dhe gatishmërinë tuaj për të rregulluar akoma më mirë këtë hapësirë në qendër të qytetit, me m paratë e fituara nga bizneset tuaja. Prandaj, dua të ju falënderoj në emër të qytetarëve dhe në emrin tim personal për këtë investim të rëndësishëm. Ky shesh i rregulluar mirë, do të jetë akoma më i bukur kur aty të vendoset shatërvani (fontana), ndërsa hapësira që do ta rregulloni përreth saj, me lule e gjelbërim, do t’ia shtoja akoma hijeshinë”, tha ndër të kryetari tjera Bahtiri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat