Në Kqiq të Madh u hap dega e bibliotekës “Latif Berisha”

Mitrovica

Në Kqiq të Madh u hap dega e bibliotekës “Latif Berisha”

Më: 24 mars 2017 Në ora: 18:48
Kqiq i Madh

Me hapjen e degës në Kqiq të Madh, Biblioteka e Qytetit “Latif Berisha”, ka shënuar Ditën e saj, që është 24 Marsi, dita kur në vitin 1999 filluan bombardimet e NATO-s ndaja caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe që po e mbanin Kosovën të pushtuar e të robëruar dhe kur  policia kriminale serbe vrau në shtëpinë e tij atdhetarin, shkrimtarin, intelektualin dhe udhëheqësin politik, Latif Berisha.

Duke i përshëndet të pranishmit e në veçanti familjarët e patriotit Latif Berisha, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili shoqërohej nga nënkryetari Faruk Mujka, drejtori i Arsimit, Skender Avdiu e bashkëpunëtorë të tjerë,  tha se është kënaqësi që në një ditë të shënuar siç është kjo e 24 Marsi-Dita e fillimit të bombardimeve të caqeve serbe nga ana e aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë-NATO-ja, për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga fashizmi serb, banorët e Kqiqit po shënojnë edhe një fitore të re-Bibliotekën, e cila tani e tutje do t’i ketë dyert e hapura për lexues dhe vizitorë.

“Kjo bibliotekë do të vazhdoj të realizoj misionin  e vet fisnik të ofrimit të librit fare pranë qytetarit lexues, duke ndikuar kështu akoma më shumë në përhapjen e vlerave kulturore në mjedisin tuaj. Me hapjen e Bibliotekës, Kqiqi po bëhet një mjedis urban, me ët gjitha institucionet e nevojshme, për të cilat qytetarët kanë nevojë”, tha ai ndër të tjera.

Drejtori i Bibliotekës së qytetit, Miftar Kurti, tha se ajo tani ka një traditë 70-vjeçare të funksionimit dhe se ka një fond të pasur librash e literaturë tjetër në gjuhë të ndryshme, ka staf të përkushtuar, i cili është në shërbim të lexuesve, numri i të cilëve po rritet përditë.

“Sado që jemi mbledhur për një akt solemn, nuk mund të mos i përkujtojmë dhe t’u jemi mirënjohës atyre që dhanë jetën për liri, njëri nga të cilët ishte edhe intelektuali Latif Berisha, i cili këtu e 18 vjet më parë, u vra nga forcat serbe. Ai dhe shumë të tjerë ranë për liri, ranë për një të ardhme më të mirë për ne, për gjeneratat e ardhshme. Ranë që ne të kemi mundësi të jetojmë, të punojmë, të shkollohemi të lirë si e gjithë bota e qytetëruar. Prandaj, jo rastësisht, biblioteka e qytetit, degën e të cilës po e hapim sot këtu, e mbanë emrin e tij. Dhe emri e vepra e tij veç ditëlindje do të ketë”, tha ndër të tjera drejtori Kurti.

Të pranishmit e shumtë që merrnin pjesë në hapjen e bibliotekës, i përshëndeti edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Fidan Ademi, i cili ju tha se prania e tyre  tregon më së miri për etjen që kanë për dije.

“Kjo degë e bibliotekës ka karakter të përkohshëm, sepse do të gjenden mjete për ndërtimin e Shtëpisë së Kluturës në Kqiq, ku do ta ketë vendin edhe biblioteka. Udhëheqja e tashme komunale ka trefishuar fondet për subvencione, andaj edhe ndihma për qytetarët do të jetë shumë më e madhe. Kqiqi i Madh do të jetë në qendër të vëmendjes tonë. Së bashku me juve do e shndërrojmë në një fshat modern bashkëkohor”, tha drejtori Ademi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat