Drejtuesit e PDK-së në Mitrovicë bënë shpifjen më monstruoze deri tash

Mitrovica

Drejtuesit e PDK-së në Mitrovicë bënë shpifjen më monstruoze deri tash

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 18:13
Agim Bahtiri

Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur për medie të enjten, drejtuesit e Degës së PDK-së kanë bërë shpifjen më monstruoze deri tash në adresën time, duke thënë se kinse unë qenkam marrë vesh me kryetarin e Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, për ndërtimin e murit në rrugën kryesore, të kësaj pjese të qytetit, jo larg cepit verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kjo është akuzë e rëndë shpifëse e drejtuesve të Degës së PDK-së në Mitrovicë, që ka për qëllim diskreditimin tim patriotik, moral, politik dhe si kryetar i Komunës.
Nga frika se do të kandidoj sërish për kryetar të komunës dhe do t’i fitoj zgjedhjet e vitit të ardhshëm, drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë, po përdorin metoda të UDB-së së ish Jugosllavisë për të më eliminuar nga skena politike.

Arsye tjetër përse pikërisht tani po bëhet ky sulm ndaj meje, është apeli im në RTK dhe TV Mitrovica që institucionet e Kosovës t’i shmangen përdorimit të dhunës në zgjidhjen e çështjes së murit në Mitrovicë, gjë që do të destabilizonte situatën dhe do t’i dëmtonte të arriturat e mia në stabilizimin e situatës në Mitrovicë dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. 

Mirëpo, megjithëkëtë, për hir të qytetarëve të Mitrovicës dhe opinionit të gjerë, më duhet të them se asnjëherë, as para e as pas ndërtimit të murit provokues, me qëllim të destabilizimit të situatës në komunë, nuk jam takuar me kryetarin e Komunës Veriore, Goran Rakiq për të biseduar për këtë çështje dhe as që kam pas ndonjë njohuri lidhur me këtë veprim jocivilizues të autoriteteve të komunës Veriore.

Në bisedimet e delegacionit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, si kryetar i komunës, unë kam marrë pjesë vetëm atëherë kur është folur për zhbllokimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, me ç’rast edhe u arrit marrëveshja për rivitalizimin e saj.

Me këtë marrëveshje, nuk është përfshirë  ndërtimi i kurrfarë muri, gjë të cilën e kanë deklaruar  së fundi edhe BE-ja dhe Qeveria e Kosovës.
Për të qenë korrekt më duhet të them se në Bruksel drejtuesit e Komunës Veriore patën paralajmëruar shndërrimin e rrugës kryesore në shëtitore, që është një vendim që u përket  organeve komunale të atjeshme, pasi që ajo hapësirë i takon kësaj komune.

Meqë është kështu, shtrohet pyetja, përse duhet të përfshihet  Agim Bahtiri në një projekt të këtillë jo civilizues. Dua të them me plotë gojën se këtë shpifje ordinere të drejtuesve të Degës së PDK-së në Mitrovicë nuk e kap mendja dhe logjika e shëndoshë.  

Prandaj, është fare lehtë që qytetarët e Mitrovicës dhe opinioni i gjerë të kuptojnë fare mirë se shpifja monstruoze e drejtuesve të PDK-së, është e motivuar politikisht dhe ka qëllim të vetëm diskreditimin dhe eliminimin tim nga skena politike.

Nuk e kam thënë deri tash, por më duhet të them se marrëveshje, madje me ekstremistët serbë dhe strukturat joligjore paralele serbe, në dëm të shqiptarëve, me gjasë kanë bërë pikërisht këta që po shpifin sot ndaj meje.

Kush do të vërtetoj këtë që po them unë, le të vizitojë “Kroin e Vitakut”, ku strukturat paralele serbe kanë ndërtuar aq banesa në tokat shqiptare, në të cilat asnjëherë nuk ka pasur serbë, sa janë ndërtuar shtëpi shqiptare të djegura dhe shkatërruara po nga këto struktura paralele ekstremiste serbe.

Falë këtij bashkëpunimi të ngushtë të profiterëve të PDK-së dhe bandave serbe në Veri, sot kjo pjesë e lagjes “Kroi i Vitakut”, ka përafërsisht numrin e njëjtë të banorëve shqiptarë dhe serbë, përderisa para lufte aty nuk ka jetuar asnjë serb.

E pra, kjo ka qenë marrëveshja e fshehtë e drejtuesve të PDK-së me ekstremistët serbë që është bërë në dëm të shqiptarëve, por me qëllim të përfitimit të individëve dhe grupeve të ngushta, duke vjedhur me miliona euro të buxhetit të Kosovës, kinse në emër të rindërtimit të shtëpive dhe patriotizmit.

Dhe krejt në fund, dua të bëjë me dije se për këtë shpifje monstruoze dhe të tmerrshme, që nesër do të bëj aktpadi në Gjykatën Themelore për drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat