Në Mitrovicë janë në ndërtim e sipër rrugë në vlerë prej mbi 500 mijë euro

Mitrovica

Në Mitrovicë janë në ndërtim e sipër rrugë në vlerë prej mbi 500 mijë euro

Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 14:05
Agim Bahtiri

Në komunën e Mitrovicës aktualisht janë duke u kryer punë me vlerë prej rreth 500.000 euro, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe kanalizimeve, të cilat do të kryhen deri në fund të këtij muaji.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Safet Kamberi dhe drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Besnik Beka, ka inspektuar punët që janë duke u bërë në disa lagje e paralarje të qytetit dhe në lagjen e minatorëve Tuneli i Parë.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari Bahtiri është njoftuar nga punë kryesit për dinamikën e punimeve dhe vështirësitë eventuale që ata kanë gjatë realizimit të projektit. Në të gjitha rastet, kryetari Bahtiri ka kërkuar nga punë kryesit që tu përmbahen kontratave të nënshkruara në të gjitha aspektet, që cilësia e punimeve të jetë në nivelin e duhur dhe sidomos që të respektohen afatet për përfundimin e punimeve.

Kështu, kryetari Bahtiri, nënkryetari Kamberi dhe drejtori Beka, inspektuan punimet në ndërtimin e rrugëve dhe kanalizimit atmosferik dhe atij fekale në disa rrugë të Zhabarit, në një gjatësi prej mbi 1.800 metra, gjerësi prej pesë metrash deh dy shtresa asfalti me trashësi prej 12 centimetrash. Vlera e këtij projekti arrin shumën prej 287.892 euro, që është një bashkëfinancim i komunës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në vazhdim drejtuesit komunal vizituan disa rrugë që janë duke u kubëzuar në Zhabar, Shipol, Vaganicë dhe  Ura e Gjakut, vlera e të cilave kap shumën prej mbi 50.000 euro. Këto rrugë ndërtohen falë bashkëfinancimit të komunës dhe participimit të qytetarëve, të cilët sigurojnë prej 20 deri në 40 për qind të mjeteve të projektit, varësisht prej gjendjes së tyre materiale.

Së fundi, kryetari Bahtiri dhe bashkëpunëtorët e tij, inspektuan edhe punimet në ndërtimin, përkatësisht asfaltimin e rrugës në Tunelin e Parë. Vlera e projektit është rreth 80.000 euro, para të siguruara nga komuna dhe participimi simbolik i banorëve të këtushëm, pasi që ata kanë gjendje të vështirë ekonomike.

Gjatë inspektimit të rrugëve, qytetarët u shprehën të jenë të kënaqur me punën që po bëhet në ndërtimin e rrugëve të tyre. Ata falënderuan komunës dhe sidomos kryetarin Bahtiri për angazhimin e tij në realizimin e premtimeve të dhëna për ndërtimin e rrugëve.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat