Heroi Enver Zymberi përkujtohet përmes vrapimit

Mitrovica

Heroi Enver Zymberi përkujtohet përmes vrapimit

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 08:38
Foto arkiv

(E plotësuar) - Ngjarja memoriale ‘Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit’ që u mbajt sot në Mitrovicë, ka mbledhur numër të konsideruar të atletëve të klubeve të Kosovës të kategorive të ndryshme, zyrtarë të institucioneve të sigurisë, si dhe shumë qytetarë nga Mitrovica dhe më gjerë.

Aktivitetin e ka shpallur të hapur drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë event.

 
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, tha se institucionet lokale, por edhe ato qendrore kanë obligim që të përkujtojnë një hero çfarë ishte Enver Zymberi.
 
Kamberi: Kemi obligim ta përkujtojmë këtë hero

 “Është rasti më i mirë që ne të përkujtojmë njerëzit të cilët kanë dhënë jetën për të mbrojtur Republikën e Kosovës... Ne si institucione lokale, por edhe ato qendrore kemi obligim të përkujtojmë një hero të tillë siç është Enver Zymberi”, ka thënë Kamberi.
  
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila u shpreh e lumtur që i është bashkëngjitur për herë të dy të kësaj maratone, bashkë me pjesëtarët e policisë e të FSK-së, por edhe të gjithë qytetarëve nga mbarë vendi.
 
Kusari-Lila: Po nderojmë  heroin e Kosovës

“Është viti i dytë me radhë që bashkëngjitëm me të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, FSK-së, mitrovicasit, por edhe me të gjithë ata të tjerët nga Prishtina dhe Kosova të vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit...Me rëndësi është pjesëmarrja dhe nderi që ia bëjmë heroit të Kosovës”, tha ajo.
 
Ky aktivitet që u mbajt në shenjë kujtimi për nderë të pesë vjetorit të rënies së heroit të Kosovës Enver Zymeri, u organizua nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Mitrovicës, Federatës Atletike të Kosovës, si dhe Policisë së Kosovës. 

Mitrovica e përkujton me vrapim Enver Zymberin

Në shenjë kujtimi dhe nderi të pesë vjetorit të rënies heroike të heroit të Kosovës, Enver Zymberit sot në Mitrovicë, organizohet vrapim me moton “Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit“.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat