Bahtiri takon përfaqësuesit institucional të shqiptarëve dhe boshnjakëve të Mitrovicës Veriore

Mitrovica

Bahtiri takon përfaqësuesit institucional të shqiptarëve dhe boshnjakëve të Mitrovicës Veriore

Më: 13 korrik 2016 Në ora: 08:22
Foto nga takimi

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka ftuar në një takim përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve e të boshnjakëve të veriut të qytetit në institucionet e komunës së re të formuar në veri të Mitrovicës, për të biseduar për gjendjen aktuale politike e të sigurisë dhe për problemet me të cilat po ballafaqohen në jetën e përditshme.

Në takim ishin të pranishëm Emir Azemi, zëvendës kryesues i Kuvendit të Komunës të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Lumni Xhaka, këshilltar i KK nga radhët e LDK-së, Gëzim Alushi, këshilltar i KK nga radhët e AAK-së dhe Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak në KK të Mitrovicës së Veriut.

Kryetari Bahtiri dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga lagjet veriore dhe ai i boshnjakëve,  njëzëri vlerësuan se edhe përkundër provokimeve të serbëve, siç ishte rasti me vendosjen e shtatores së Car Llazarit në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës, situata është relativisht e qetë dhe pa eksese të mëdha që kishin me e rëndua gjendjen e sigurisë.

Kjo, u tha në takim, është para së gjithash meritë e shqiptarëve dhe përfaqësuesve politik të tyre në veri, si dhe e drejtuesve të komunës në pjesën jugore të qytetit, që duke i bashkërenduar aktivitetet, me maturi dhe syçeltësi po i tejkalojnë provokimet serbëve.

Pengesat e ndryshme të qëllimta që po u bëhen shqiptarëve për kthim në lagjet veriore, nga ana e institucioneve dhe disa qytetarëve  serbë, si dhe tejkalimi i afateve të premtuara për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe largimin e barrikadave të tjera që ende ekzistojnë aty-këtu, ishin çështje tjera me rëndësi që u diskutuan në këtë takim.

Pjesëmarrësit në takim edhe njëherë theksuan se është e padrejtë dhe jo humane pengimi i shqiptarëve për tu kthyer në pronat e tyre në veri të qytetit, prej nga janë larguar me dhunë, para, gjatë dhe pas luftës, nga ekstremistët serbë.

“Të drejtën e garantuar me konventa ndërkombëtare për kthim në pronat e tyre, shqiptarëve nuk mund të ua mohoj askush. Prandaj ne i ftojmë institucionet legjitime në veri të Mitrovicës dhe qytetarët serbë, që të mos bëjnë pengesa në këtë drejtim. Ndërkaq, nga institucionet më të larta të vendit dhe ato ndërkombëtare, kërkojmë që të gjejnë fonde për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore”, thanë bashkëbiseduesit.

Në vazhdim pjesëmarrësit në takim u shprehën të zhgënjyer me mos realizimin e premtimit nga BE-ja për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe hapjen e saj për lëvizje e qarkullim të lirë deri më 30 qershor, kur ishte afati i paraparë.

Ata edhe me këtë rast kërkuan nga BE-ja që të përshpejtoj procedurat për fillimin sa më të shpejtë të mundshëm të punimeve për rivitalizimin e urës dhe lëshimin e saj për qarkullim e lëvizje të lirë.

Ndërkaq, nga institucionet qendrore kërkuan që të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për lëshimin e lejeve për punë nga ana e komunës së Mitrovicës Veriore, ashtu sikur ka vepruar ajo në pjesën jugore, në mënyrë që punimet të mos vonohen për shkak të këtyre procedurave.

Një kërkesë tjetër e pjesëmarrësve në takim, me të cilën ata u drejtohen institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, është lejimi i ndërtimit të xhamisë në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilën ekstremistët serbë gjatë luftës e kishin shkatërruar tërësisht, madje duke e rrafshuar edhe vendin ku ajo qëndronte me shekuj.

“Kërkesat e besimtarëve myslimanë për rindërtimin e xhamisë janë të përditshme. Ata vërtetë kanë nevojë për xhami për t’i kryer obligimet e tyre fetare, andaj edhe kërkesa është plotësisht e arsyeshme. Ne edhe lidhur me këtë kërkojmë ndihmën e institucioneve më të larta të vendit dhe ato ndërkombëtare, që të mundësojnë rindërtimin e xhamisë me qëllim që besimtarëve myslimanë tu krijohen kushtet për kryerjen e obligimeve. Jemi të bindur se rindërtimi i xhamisë do të sillte vetëm paqe e mirëkuptim në mes të qytetarëve e assesi probleme”, thanë ata.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe këshilltarët shqiptarë e ai boshnjak në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës Veriore, biseduan po ashtu edhe për gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera jo serbe në veri të Mitrovicës.

“Shqiptarët dhe komunitetet tjera jo serbe janë të diskriminuar edhe në punësim dhe përfshirjen në skemat sociale nga institucionet e Republikës ë Kosovë në veri të Mitrovicës. Po ashtu, ata janë të diskriminuar edhe sa i përket investimeve kapitale, sepse ato orientohen vetëm në mjediset e banuara me serbë. Ne kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës që kjo gjendje të përmirësohet dhe që të hartohet një program i veçantë për këtë qëllim, duke i siguruar njëkohësisht mjetet financiare”, u tha ndër të tjera në takim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat