Nuk arrihet të sigurohet prezenca e të akuzuarit në seancë edhe pas lëshimit të urdhër arrestit

Mitrovica

Nuk arrihet të sigurohet prezenca e të akuzuarit në seancë edhe pas lëshimit të urdhër arrestit

Më: 7 maj 2021 Në ora: 20:19
Foto ilustrim

Edhe përkundër faktit se ndaj të akuzuarit për vjedhje rryme, Sami Rexha, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte lëshuar urdhër arrest, nuk është arritur të sigurohet prezenca e tij në seancën e së premtes.

Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se Policia e Kosovës, përmes telefonit, e ka njoftuar gjykatën së kanë shkuar në adresën e vendbanimit të të akuzuarit në Mitrovicë, mirëpo sipas dëshmitarëve, i njëjti jeton në Fushë Kosovë dhe deri më tani nuk kanë mundur që të bien në kontakt me të.

Në këto rrethana, seanca u shty për 2 qershor 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishin prokurorja Jagodinika Nikoliq, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Genc Hasani, si dhe dëshmitaret Mustaf Rexhepi dhe Avdyl Azemi.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 22 shkurt 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sami Rexhës, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 321, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, prej datës së pavërtetuar e deri më 10 dhjetor 2018, në shtëpinë e tij në Mitrovicë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, i pandehuri Rexha ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, pa njehsor elektrik, dhe atë duke u rikyçur përkundër shkyçjeve të shpeshta që i janë bërë nga personat e autorizuar të KEDS-it. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat