EURALIUS: Ja parimet bazë për ligjin e rivlerësimit

Shqipëria

EURALIUS: Ja parimet bazë për ligjin e rivlerësimit

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 23:33
Komisioni i Reformës në Drejtësi

Komisioni i Reformës në Drejtësi dëgjoi sot opinionin e ekspertëve ndërkombëtar lidhur me vërejtjet e demokratëve. EURALIUS theksoi “parimet thelbësore për anëtarësimin në BE, ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita”

Në Shqipëri Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi, u mblodh sot për të dëgjuar opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë ndaj vërejtjeve të paraqitura nga opozita për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në një njoftim të tijin misioni europian Euralius ka theksuar katër parime që sipas tij, ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita janë thelbësore, mes të cilëve fakti që roli i misionit ndërkombëtarë të monitorimit nuk mund të reduktohet.

Mbledhja e sotme e Komisionit, e cila pati në qendër një nga pikat kyçe të Reformës në Drejtësi, atë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zgjati pak më shumë se dy orë. Përfaqësuesi i opozitës Oerd Bylykbashi nuk dha shumë detaje, ndonëse bëhej fjalë për vlerësimin e vërejtjeve të shumta që ata kanë paraqitur lidhur me tekstin e projektligjit: “U prezantuan komentet e ekspertëve ndërkombëtar, dhe do të ulen këto ditë ekspertët për të integruar dhe për të gjetur versionin përfundimtar. Eshtë process hartimi legjislativ dhe besoj se do të mbyllet shpejt”, u shpreh zoti Bylkbashi.

Edhe përfaqësuesi socialist Pandeli Majko, nuk dha shumë detaje, por i mëshoi faktit se opinionet e EURALIUS-it janë qëndrim i Komisionit europian: “Sot dëgjuam komentet e përfaqësuesit të Bashkimit europian dhe OPDAT-it. E them këtë jo në gjuhën e ekspertizës, pasi përfaqësuesi i EURALIUS-it dekalroi se të gjitha opinionet lidhur më vërejtjet e opozitës ishin qëndrime të Komisionit të BE-së. Ne kërkuam që tani këto të diskutohen me ekepsertët për të na sjellë një material të përmbledhur për ato që u ra dakort dhe ato për të cilat nuk u ra dakort”.

Maksimumi brenda së hënës së ardhshme do të duhet të përfundojë faza e përshtatjes së opinionit të paraqitur nga Euralius dhe OPDAT-i, ndërkohë që nuk është shumë e qartë se sa nga vërejtjet e opozitës janë marrë parasysh. Një njoftim i misionit EURALIUS në përfundim të mbledhjes së sotme, duket se lë të kuptohet se ka dallime të rëndësishme mes atyre që ka kërkuar opozita dhe vlerësimeve tëeskeprtëve ndërkombëtar. "Ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita, EURALIUS theksoi katër parime thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke theksuar: a) Nuk mund të ekzistojnë afate kohore ose kalendar për çdo çështje individuale; b) Procesi i rivlerësimit përdorë informacionet, dosje si dhe struktura administrative ekzistuese veçanërisht të ILDKP-së; c) Roli I misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet; d) Bashkëpunëtorët e drejtësisë konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktika korruptive për marrjen e provave”, thekson njoftimi i misionit europian, në të cilin saktësohet se nga ana tjetër, misioni amerikan OPDAT “shpjegoi kontrollin e figurës bazuar në standartet e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s sipas të cilave një institucion mbledh informacionin dhe komisioni i rivlerësimit merr vendimin”.

Në varësi të ecurisë së mëtejshme të këtij procesi, do të përcaktohet edhe thirrja e seancës për të votuar ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila sipas kryetarit të parlamentit Ilir Meta duhet të bëhet sa më shpejt. Shumica i ka teorikisht votat e nevojshme për ta kaluar dhe e vetme këtë ligj, por zoti Meta i mëshoi sërish konsensusit edhe për të shmangur sipas tij mundësinë e ankimimit të tij nga opozita në Gjykatën Kushtetuese: “Për të ushtruar çështjen e 84-85 apo më shumë votave, kjo nuk është një gjë shumë e rëndësishme, sepse mund të bëhet në çdo moment, por e rëndësishme është të mos cenohet ecuria, jo vetëm e konsensusit, por edhe të gjithë procesit përpara. Në rast se PD, për çështje të parëndësishme, jothelbësore nuk jep konsensusin e saj atëherë kjo do të jetë një përgjegjësi e PD-së, por unë besoj që është shumë herët të paragjykojmë”, u shpreh kryetari i Parlamentit.

Zoti Meta tha se duhet të intensifikohen përpjekjet edhe për dy ligjet e tjera, ato të qeverisjes gjyqësore dhe të Prokurorisë Speciale anti-korrupsion, për të cilat, siç theksoi ai është rënë dakord që të diskutohen dhe miratohen brenda 30 gushtit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat