Alarmi në SHBA dhe Europë: Tronditja që mund të vijë nga Italia

Bota

Alarmi në SHBA dhe Europë: Tronditja që mund të vijë nga Italia

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 23:30
Renzi

Referendumi italian është më i rëndësishëm se sa Brexit. Kështu shkruante në numrin e para dy ditëve Wall Street Journal. Gazeta e ka vendosur Italinë në qendër të krizës europiane: për arsye të stanjacionit ekonomik, dhe jo vetëm. Analiza shqetësuese e të përditshmes amerikane ndërfutet kështu në një rritje të vëmendjes mbi afatin e nëntorit: edhe New York Times dhe Financial Times kalë lëshuar sinjale të ngjashme, duke parë tek Italia hallkën e dobët të rritjes ekonomike europiane.

Por edhe epiqendrën e mundshme të një tronditje të re politike, që do ta dobësonte Unionin, i cili edhe kështu lëkundet jo pak. Alarmi nuk vjen vetëm prej mediave anglo-saksone: e përditshmja spanjolle El Pais e ka quajtur Italinë “sëmundja e re e Europës, që mund ta tërheqë kontinentin drejt një krize të re”. Emisarë të ndryshëm të financës dhe industrisë globale, që nga njerëzit e George Sorosit, deri tek menaxherët e lartë të Silicon Valleyt, kanë shprehur shqetësime të ngjashme gjatë vizitave të tyre në Itali. Nga të gjithë anët shfaqet një pasojë e menjëhershme: Qeveria Renzi duhet të sigurojë nga Brukseli një hapësirë më të madhe tolerance, për të nisur një manovër të fuqishme të bilancit dhe të favorizojë rritjen ekonomike.

Ato që kanë rindezur prozhektorët në drejtim të Italisë kanë qenë të dhënat shumë të këqia që mbyllën javën e kaluar: eurozona në tërësi rritet, edhe pse dobët, për shkak të një performance të Gjermanisë, më të mirë se sa parashikimi, por Italia është ndalur dhe ky ndalim i saj, i ngadalëson të gjithë.

Analiza e Wall Street Journal nënvizon se jemi përballë një sëmundjeje të vjetër, që i paraprin krizës së 2008, duke parë që nga 1996 deri në 2011, rritja ekonomike italiane ka qenë mesatarisht 0.9% në vit, përkundër 1.4% të Gjermanisë, 1.8% të Francës, dhe 2.6 % të Spanjës. Pasojat e frenimit të gjatë italian i paguajnë para së gjithash të rinjë. Papunësia mes të rinjve në Itali ka arritur 36.5%, ndërkohë që mesatarja në Europë është 20.8%.

Problemi italian nuk ka shpërthyer papritur në shtypin e huaj të gushtit. Një paralajmërim ishte dhënë që një muaj më parë, me kopertinën e The Economist: pamja ishte e një autobusi të pasigurt, në prag të rënies në humnerë. Pjesa e jashtme e autobusit ishte ngjyrosur me tringjyrëshin e flamurit italian. Në atë rast, denoncimi nisej nga paqëndrueshmëria e bankave italiane. Por The Economist e vendoste analizën, në kontekstin e një alarmi më të përgjithshëm, duke e përshkruar Italinë në mënyrë dramatike: “Ekonomia e katërt e Europës, një prej më të brishtave, me borxhin publik 135% të GDP-së, me normën e punësimit të të rriturve më të ulëtën pas Greqisë, një ekonomi në agoni prej vitesh, e mbytur prej teprimeve normative dhe produktivitetit të dobët”.

Wall Street Journal në numrin e 15 gushtit i ka shtuar kësaj panorame të zymtë, edhe variablën politike: “Eshtë ky skenar që e bën referendumin jetik, ndoshta edhe më të rëndësishëm se sa Brexit”. Gazeta amerikane shkruan se “tregjet jnë të përqëndruar në peshën politike të referendumit”, domethënë rrezikun që një kundërshtim i fortë i zgjedhësve do të rrëzojë Renzin, “por kostoja e vërtetë për Italinë, do të ishte që ekonomia të mbetej e mbërthyer në stanjacionin e gjatë”, duke bërë edhe më të vështirë zgjidhjen e shumë problemeve: nga borxhi publik, tek vuajtjet bankare.

Gazeta tjetër amerikane, The New York Times, po në 15 gusht rimerr analizën e detajuar të agjencisë Reuters, mbi “stabilitetin në rrezik të Italisë”. Nga katër skenarë të mundshëm pas referendumit të nëntorit, tre prej tyre janë negativë: “Referendumi hidhet poshtë, Renzi dorëhiqet dhe Senati mbijeton. Sistemi elektoral konvertohet në proporcional, i cili e bën edhe më të vështirë të kuptosh se cili komandon. Zgjedhje të reja, me Parlamentin dhe Senatin ndoshta në duar të shumicave të ndryshme”. Rezultati: pamundësi qeverisëse, sa hap e mbyll sytë. Skenari i dytë i New York Times-Reuters sheh Renzin të mundur, por në gjendje të mbijetojë duke bërë aleancë me Forza Italian, “për të fituar kohë dhe më pas reformuar ligjin zgjedhor, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2018”.

Një qeveri e tillë do të “shpërfillte ekonominë, ndërkohë që do të rritej mbështetja për Lëvizjen 5 Yjet, që kërkon një referendum për vazhdimin e qëndrimit në Euro”.

Skenari i tretë, i vetmi pozitiv: “Renzi fiton dhe arrin të miratojë reformën në drejtësi, në administratën publike, por edhe në sektorin bankar”. Por ka vend për një skenar të katërt, ku fitorja e PO-së në referendum, nuk është aspak pozitive: “Renzi arrin të rimëkëmbë ekonominë, Lëvizja 5 Yjet fiton në vitin 2018, dhe nuk ka më kufizime, duke parë dobësinë e Senatit”.

New York Times konkludon me një këshillë identike, me atë që mbyllet artikulli i Wall Street Journal: nevoja për një stimul të fuqishëm fiskal. Dhe është po ky leksion, të cilit Financial Times i dedikon një editorial të tërë. Me titull: “Renzi duhet të nisë një ofensivë për stimulin”. Ky presion i drejtohet Brukselit dhe Berlinit. Edhe Financial Times e konsideron si gabim të Renzit personalizimin e referendumit, dhe parashikon që “shumë italianë do të shfrytëzojnë rastin për të votuar kundër një qeverie gjithnjë e më jopopullore”.

Por gabimi është bërë dhe në këtë pikë Renzi “duhet të sigurojë liri manovrimi nga Bashkimi Europian”. Sa i përket masave shtrënguese, rregullat nuk zbatohen me rreptësinë e një herë e një kohe. Shumë vëzhgues kujtojnë se Brukseli ka treguar tashmë tolerancë kundrejt Francës, Spanjës dhe Portugalisë, kur nuk kanë respektuar tavanët e borxheve. Mund të shtohet se pas Brexit, makthi i largimeve të tjera e ka reduktuar në minimume historike disiplinën e brendshme, si edhe kapacitetin për presion nga Gjermania, ndaj partnerëve të saj. Në kuadër të lëshimeve europiane, po ndodhin gjëra shumë më të rënda në fushat ekstra-ekonomike: si pafuqia e BE-së përballë abuzimeve kundër shtetit të së drejtës në Poloni dhe Hungari. Pakëz elasticitet në manovra publike në mbështetje të rritjes ekonomike, do të ishte një sinjal maturie për të ndalur “in extremis” valën antieuropiane të shumë opinioneve publike.

Thirrjet për Renzin, që përpara nëntorit të lirohet nga nënshtrimi prej Brukselit, shpjegohen edhe me zhgënjimin prej Bankës Qendrore Europiane. Të dhënat e të premtes mbi rritjen e euzonës, gjithmonë të dobët nëse krahasohen me SHBA, apo me vitet e artë ’60 dhe ’70, kanë shkaktuar gjykime të reja negative ndaj “lehtësimit sasior” në versionit e BQE-së.

Ata blerje titujsh, ndonëse duke mbajtur normat e interesit në minimume historike, nuk po rigjallërojnë rritjen ekonomike, si kishte ndodhur në versionin e parë (made in USA) të “lehtësimit sasior” që u zbatua nga Federal Reserve, mes viteve 2009 dhe 2015.

Eshtë konfirmimi i asaj që thonë prej kohësh ekonomistët e të majtës neokeinesiane, nga Paul Krugman tek Joseph Stiglitz: vetëm politika monetare nuk mjafton, duhet edhe një manovër fiskale dhe buxheti për të rigjallëruar një ekonomi të sëmurë kaq rëndë. Më pak taksa, më shumë investime publike. Renzi duhet të japë shembullin, nëse nuk do të humbasë referendumin e vjeshtës dhe të shkaktojë një efekt Brexit në katror: mesazhi është i qartë, nga vëzhguesit e huaj. /La Repubblica – Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat