Ja si keqpërdoret paraja e qytetarëve në Klinë

Peja

Ja si keqpërdoret paraja e qytetarëve në Klinë

Më: 10 korrik 2016 Në ora: 09:51
Ilustrim

Komuna e Klinës e cila drejtohet nga Sokol Bashota, i dyshuar për keqpërdorim, vazhdon me shpenzimet e mëdha të telefonisë mobile, duke shpenzuar 24,606 euro. Derisa për disa vetura nuk dihet ku ka qenë destinacioni i udhëtimit. Inspektori i Tregut u punësua edhe pse nuk i plotësonte kushtin për përvojën e punës. Po ashtu, për Festivalin “T’i këndojmë lirisë”, komuna ka paguar edhe gazetarët, kurse, për shumë projekte janë dhënë parat por nuk dihet se a kanë përfunduar.

Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, sipas të cilit krahasuar me vitin 2014, shpenzimet e telefonisë mobile janë rritur për 41% nga 17,397€ në 24,606€.

“Planifikimi për vitin 2015 ishte 11,750€ duke tejkaluar kështu planin për mbi 109%. Në shkurt 2014, komuna kishte lidhur marrëveshje me Operatorin ekonomik (për periudhë trevjeçare) për shërbime telefonike, sipas së cilës operatori do ofronte dhuratë telefona për komunën, në vlerë 18,102€ (16 telefona Iphone 5S, 5 telefona Samsung Galaxy S4 si dhe 172 telefona Nokia ASHA 105). Në rast ndërprerje të marrëveshjes komuna do të obligohej që të kthente në tërësi shumën për telefonat 18,102€. Për 178 zyrtarë do të paguheshin gjithsej 534€/muaj (3€ kredit për muaj), 14 zyrtarë me pako 29,95 si dhe 1 pako në vlerë 55.95€. Ne kemi vërejtur se zyrtarët kishin marrë numra të rinj telefoni, në momentin që ata kishin shkaktuar shpenzime të larta dhe atë: Deri në fund të vitit 2015, çdo tejkalim i shpenzimeve të pakovetelefonike, paguheshin jo nga pagat e punonjësve, por nga buxheti i komunës. Pesë mostrat tona të pagesave mujore kanë treguar që vetëm në muajin gusht, drejtori i urbanizimit kishte shpenzuar mbi 500€; Asistenti i Kryetarit 108€ dhe 215€ në muajt mars dhe prill; Vozitësi i Kryetarit vlerën mbi 270€ për katër muaj. Pas vërejtjes sonë në fazën nëntëmujore të auditimit, Kryetari nxorri urdhëresë që për çdo tejkalim të shpenzimeve, bërë gjatë vitit 2015, të bëhen ndalesat në paga për ata zyrtarë, dhe atë deri në qershor 2016. Ne kemi konfirmuar se deri në qershor2016, i janë kthyer buxhetit gjithsej 3,114 € për këto mbishpenzime të telefonisë mobile”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, për disa vetura është vërejtur se nuk mbahen fare fletudhëtime dhe shënime për shfrytëzimin e veturave.
“Vetura 03Z-14-08 nga Drejtoria e Arsimit, vetura 03Z-16-08 nga Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, dhe vetura 03Z-25-08nga Zyra për Komunitete dhe Kthim. Derisa në fletudhëtimet e veturave me targa 03Z-15-08, 03Z-10-08 dhe 03Z-08-08, gjatë vitit 2015, me mijëra kilometra nuk janë evidentuar dhe nuk dihet ku ka qenë destinacioni i udhëtimit”, thuhet në raport.

Auditori thotë se në konkursin Inspektor i Tregut kanë hasur që kanditati i përzgjedhur në konkursin e shpallur më datë 02.07.2015 për pozitën Inspektor i Tregut, nuk e plotësonte kushtin për përvojën e punës sipas kërkesave të konkursit.

Parregullësi të shumta ka edhe te Festivali “T’i këndojmë Lirisë”, ku po veçojmë tri fatura të drekës në vlerë 3,236€, ishin të datës 11.06.2015, ndërsa, kuponat fiskal përcjellës përmbanin datën 27.05.2015. Ndërsa, për pajisjet dhe materialet e blera për nevojat e festivalit nuk ka raport pranimi dhe regjistrimi.

Për këtë festival, Klina ka paguar edhe për gjashtë gazetarë, gjë që është e pazakontë, në vlerë prej 360 euro.

Kryetari Sokol Bashota ndau mjete në vlerë 4,000€ lidhur me ekskursionin stërvitor për klubin e futbollit “Dukagjini” në shkurt 2015. Përveç faturës, nuk ka ndonjë kërkesë, agjendë apo specifikacion të shpenzimeve për ndodhjen e këtij ekskursioni.

Auditori thekson se në këtë komunë kishte para të dhënë avans në disa projekte. Kjo sipas Auditorit, mund të ndikojë opinionin e auditmit.

Komuna ka bërë disa aneks kontrata, që janë në kundërshtim me ligjin, ku për vlerën gjithsej 69,191€ nuk dihet si janë përcaktuar çmimet dhe si rezultat i kësaj mund të jenë shkaktuar dëme financiare komunës.

Për projektin “Asfaltimi i rrugës në Resnik“ ishte lidhur aneks kontratë për punë shtesë (8,035€) me datën 06.11.2014. Disa nga pozicionet e aneks kontratës nuk ishin të njëjta me kontratën bazë, si dhe pranimi teknik i këtij projekti më datë 15.05.2015 ishte bërë vetëm për pjesën e kontratës bazë dhe jo edhe për aneks kontratën.

“Për pagesat e mëposhtme, raportet e organeve mbikëqyrëse nuk janë detale dhe nuk tregojnë specifikisht punët e kryera: Mirëmbajtja e ndriçimit publik (11,743€);Furnizimi dhe montimi i dritave në objektin e komunës (1,800€); Pagesa për trajtimin e qenve endacak (10,400€); Dy pagesa për asfaltimi ne rrugës Përqevë (74,616€);Asfaltimi i rrugës në Dobërdol (100,000€);Ndërtimi i shkollës në Drenoc (9,677€);Furnizimi me sirtar për stadiumin e qytetit(4,528€);Ndërtimi i kanalizimit në Grabanicë, vlera e tri pagesave (45,991€);Blerja e telefonave VOIP (1,260) ku raporti i pranimit nuk specifikonte se janë pranuar telefona; dhe furnizimi me veshmbathje për zjarrfikës (3,872€) pa raport pranimi: theksohet në raportin e Auditorit.

Komuna ende nuk ka të miratuar një plan strategjik për zhvillim ekonomik. Kurse, shumica e buxhetit shpenzohet për pagat dhe mëditjet në vlerë 5,570,740. Përkundër kësaj, të hyra vetanake ishin 790,640 euro, shumë kjo që është më e vogël se sa në vitin 2014.

Në raport thuhet se komuna ka kryer procedurën e prokurimit për blerjen e auto fshesës (15,800€) për pastrim të rrugëve përkundër që një shërbim i tillë duhet të kryhet nga kompania rajonale e pastrimit. Kjo blerje nuk ishte e parashikuar në buxhet deri në vitin 2017.

Përkundër gjithë këtyre shpenzimeve, në raport thuhet se komuna planifikoi 87,859€ për subvencione dhe transfere, derisa shpenzoi vetëm 79,502€.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat