Sulmet kundër Skënderbeut, strategji kundër identitetit kombëtar

Opinione

Sulmet kundër Skënderbeut, strategji kundër identitetit kombëtar

Pirro Prifti Nga Pirro Prifti Më 10 korrik 2016 Në ora: 07:37

Nuk pushojnë sulmet kundër heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut si nga jashtë ashtu dhe nga brenda vetë shqiptarëve, madje edhe nga intelektualë të johur dhe të panjohur.

Mendoj se faji kryesor është i politikës shqiptare, e cila nuk është aspak patriote në raport me politikanët e vendeve të huaja kur vjen rasti për të nderuar dhe respektuar heronjtë kombëtarë të vendeve respektive.

Probemi më skandaloz ka qënë kritika nga kryeministri turk i atëhershëm Rexhep Taip Erdogan (sot President i Turqisë), kur erdhi për vizitë në Shqipëri i cili shpehu një qëndrim kundër heroit tonë kombëtar në takimin me Kryeministrin Fatos Nano, duke e cilësuar Gjergj Kastrioti- Skëderbeu si tradhëtar….

Aq i përulur dhe dallkauk u tregua ish-kryeministri Nano, saqë, në vend që të mbante qëndrim ndaj asaj ofeze që mund të quhej e çdo lloji: politikë, kombëtare, shtetërore, ligjore, etj, vajti dhe hoqi pikturën dhe bustin e Heroit kombëtar nga Kryeministria.

Një turp i tillë dhe i padëgjuar nga kryeministri i një vendi kaloi pa reagime zyrtare, por kryesorja ishte se Parlamenti shqiptar i asaj kohe, deputetët e zgjedhur nga populli, presidenti shqiptar, nuk reaguan fare dhe e kaluan sikur nuk kishte ndodhur gjë.

Formimi i shtetit shqiptar nuk mund të kuptohej pa identitetin kombëtar, i cili përfaqësohet nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu Heroi ynë kombëtar të cilin e sollën dhe e ringulitën në vetëdijen kombëtare (të copëtur nga tre fe të ndryshme)- Rilindasit dhe Rilindja Kombëtare shqiptare. Ishte i vetmi hero i pakritikueshëm nga asnjë nga intelektualët patriotë shqiptarë të asaj kohe, hero i cili bashkonte rreth ndjenjës së atdhedashurisë dhe rreth identitetit kombëtar të gjitha shtresat e popullatës shqiptare pa dallim feje krahine dhe ideje, me përjashtim të ekstremistëve të asaj kohe dhe të kësaj kohe.

Janë dy arsye kryesore të cilat nxisin sulmet kundër heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu:

Arsyea e parë është qëndrimi servil politik dhe aspak patriotik i klasës udhëheqëse të Shqipërisë, e cila nuk aspiron ndjenja kombëtare në raport me fqinjët, por edhe me Europën. Kjo për pasojë të trashëgimisë turkoshake të politikbërësve shqiptarë të të gjitha kohërave që nga vdekja e Skënderbeut e deri më sot: hipokrizia dhe idea e përfitimeve materiale personale qoftë dhe në dëm të kombit.

Arsyea e dytë mbetet mungesa e një identiteti të fortë kombëtar shqiptar për pasojë të mosfunksionimit të binomit Fe-Atdhe (në kohën kur në mesjetë u formuan shtet bazuar në këtë binom, Shqipëria u pushtua dhe shteti dështoi së formuari). Feja, si njëri gji i formimit të identitetit kombëtar nuk është unike dhe as që ishte, por është zëvendësuar me tolerancën fetare, e cila mbetet si faktori i paqes dhe mirëkuptimit ndërshqiptar së bashku me arsimimin laik. Gjuha shqipe si gjiri tjetër i identitetit shqiptar mbetet një faktor thelbësor i identitetit shqiptar. Por edhe këtu grupe të vogla intelektualësh kërkojnë ta zhbëjnë atë që u bë me 1908, dhe më 1972 në Kongesin e njehësimit të gjuhës shqipe, me pretekste nga më absurdet, por që kanë një fill të vërtetë; dikush është i interesuar që Shqipëria të mbetet pa identitet dhe në kaos.

Prandaj sulmet ndaj Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut nuk po reshtin si nga jashtë ashtu dhe nga brenda vendit duke treguar edhe njëherë se politika shqiptare, politikanët shqiptarë, të zgjedhurit lokalë dhe parlamentarë, presidentët apo kryeministrat nuk janë aspak patriotë.

Problemi është më i thellë. Pranimi se Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Sknënderbeu ishte mbrojtës i atdheut të tij, por dhe i kristianizmit (për të cilin Papa i Romës i dha titullin honorifik- “Atlet i Krishtit”), ka qenë, mbetet, dhe do të të jetë vija ndarëse midis shqiptarëve dhe jo-shqiptarëve, midis patriotëve (nuk është fjala për nacionalistët, por për patriotët). Synimi kryesor i disa historianëve të jashtëm si austriaku Shmid dhe i disa historianëve turq si Talha Ugruluel, i para disa kohësh e shau heroin tonë kombëtar (por kërkoi falje të paktën), ose ata sllavë ose bizantino-grekë të cilët shtrembërojnë faktet historike - është dëmtimi i identitetit të kombit shqiptar, sepse në këtë identitet të fortë e ka zanafillën Arbëri dhe Epiri. Më në thellësi të historisë tek iliro-pellazgët, ata shohin vehten e tyre që janë pa identitet historik të veçantë (madje shohin se disa nga ata e kanë identitetin po nga vetë). Për këtë qëllim duan të prishin identitetin tonë historik në mënyë që të kenë liri për të tjetërsuar identitetet historike të shqiptarëve. Ana tjetër e medaljes janë sulmet që vijnë kundër Heroit Kombëtar nga brenda vendit. Disa historianë shqiptarë, madje, dhe nga akademikët shqiptarë dhe kosovarë hedhin idenë se osmanët nuk ishin pushtues e për pasojë Heroi Kombëtar na paska luftuar kot?!

Analistë të tjerë si disa pseudo-teoricienë islamistë hedhin idenë se Skënderbeu ka vrarë shqiptarë myslimanë?! Kjo mbetet një akuzë idiote, sepse në atë kohë nuk kishte filluar konvertimi masiv i detyruar i banorëve.

E parë dhe në këtë prizëm edhe Olsi Jazexhi, ka shkruar një artikull aspak intelektual apo dhe të mbështetur të paktën në ndonjë fakt historik duke thënë se Skënderbeu ishte një plaçkitës dhe vrasës. Unë do të desha t’i përmendja një pyetje Olsit: po mirë, po osmanët çfarë kërkonin në trojet shqiptare? A nuk ishin ata vrasësit, plaçkitësit dhe dhunuesit e vërtetë të trojeve ku banonin arbërit dhe epirotët? Çfarë deshin ata këtu? Nëse respektojmë faktet shkencore, pushtues quhen ato ushtri, shtete apo perandori që hyjnë ushtarakisht pa lejen dhe dëshirën e popujve apo shteteve pritëse, duke shkelur ligjet përkatëse, kombëtare dhe ndërkombëtare. Atehere dalin një pyetje tjetër dhe nje përgjigje përfundimtare:

Së pari, osmanët mbeten pushtues, dhe jo administratorë. Klasa sunduese shqiptare e atëhershme që drejtonte vëndin nuk ishte administratore, por klasë tradhëtare.

Së dyti personat që në mënyrë të vazhdueshme përpiqen të çnderojnë emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mendoj se janë të paguar për ta bërë një gjë të tillë se bashku me ata të huaj dhe ky sulm kundër tij mbetet një strategji kundër identitetit kombëtar shqiptar.

Kjo strategji mund të jetë e thurur me kujdes nga segmente drejtues radikalistë politikë në Turqi, por nuk është pa gjë dhe segmente politike ekstremiste në Serbi dhe gjetkë.

Shpresojmë që klasa politike shqiptare të reflektoje dhe të vendosë në vend realisht, figurën e shenjtë të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili mbetet guri i themelit të identitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku janë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat