OSBE, vërejtje për presion në administratë

Maqedonia

OSBE, vërejtje për presion në administratë

Më: 9 korrik 2016 Në ora: 15:58
Ilustrim

Frikësim i votuesve dhe jotransparenca e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, raportim të paekuilibruar të mediave, janë disa nga vërejtjet e theksuara nga OSBE / ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të shtyra, që duhej të mbaheshin më 5 qershor.

Misioni u angazhua që të përcaktojë nëse procesi zgjedhor do të zhvillohet në përputhje me zotimet e marra ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Vëzhguesit e OSBE-së kanë vërejtur presion mbi votuesit, frikësim të qytetarëve dhe kërcënim për shkarkime në administratën publike.

“Edhe më tej është e pranishme atmosfera e frikësimit të votuesve, e cila është e kombinuar me frikën e hakmarrjes nga kompanitë dhe institucionet shtetërore, edhe pse janë ndërmarrë disa masa nga autoritetet për të parandaluar presionin mbi qytetarët, por ato janë të pamjaftueshme. Në raport rekomandohet autoritetet të inkurajojnë në mënyrë aktive qytetarët që ti denoncojnë të gjitha rastet e presionit dhe frikësimit dhe ti hetojnë në themel rastet e tilla”, thanë nga OSBE / ODIHR.

OSBE-ja rekomandon që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Brendshme të vazhdojnë me pastrimin e listës së votuesve para se të përcaktohet një datë e re për zgjedhjet e parakohshme. Misioni në njërin nga rekomandimet kërkon transparencë të plotë në procesin zgjedhor dhe mundësinë që shoqëria civile të kryejë kontroll dhe ekspertizë të listës së votuesve.

Versioni final i raportit të misionit përfundon me rekomandime për transparencë më të madhe të KSHZ-së, përditësimin dhe kontrollin e detajuar të listës së votuesve dhe raportimin e balancuar në periudhën para fillimit zyrtar të fushatës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat