Presidenti Nishani uron besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit

Shqipëria

Presidenti Nishani uron besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit

Më: 5 korrik 2016 Në ora: 10:57
Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.

Përmes një mesazhi të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës, Nishani uroi për të gjithë shëndet, begati, ndriçim të shpirtit dhe kthjellim të mendjes, zemërgjerësi dhe sa më tepër respekt për më të pafatët e për ata që janë ndryshe.

Kjo ditë e shenjtë na shërben të gjithëve, shkruan Presidenti Nishani, për të larguar nga vetja urrejtjen, ndasitë dhe përçarjet e panevojshme duke na afruar edhe më tepër me njëri-tjetrin, duke na shtuar dashurinë për bashkatdhetarët si dhe duke na ripërtërirë virtytet, besimin dhe paqtimin.

Kjo Festë e madhe, vijon mesazhi i tij, na mbush të gjithëve me pak më shumë shpresë, me shumë më tepër vullnet për të dhënë e për t’iu gjendur më afër të sëmurëve, fatkeqëve, të vobektëve si dhe atyre të cilët jeta nuk i ka trajtuar edhe me aq mëshirë apo begati.

“Nga zemra ju uroj të gjithëve: besimtarë myslimanë dhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin”, shkruan Presidenti Nishani në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat