Qeveria të shfrytëzojë fondet e BE –së, për reformat ekonomike

Lajme

Qeveria të shfrytëzojë fondet e BE –së, për reformat ekonomike

Nga: Mimozë Lakna Më: 1 korrik 2016 Në ora: 15:49
Ilustrim

“Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë fondet e BE-së, të destinuara për Kosovën, me qëllim të përballimit, të problemeve që mund të sjellë MSA-ja. Mirëpo, këto para nuk duhet të derdhen në buxhet, por të investohen për reformat e domosdoshme dhe për rritjen e aftësisë konkuruese të prodhuesve vendorë”, ka thënë eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi.

Ekspertët e Ekonomisë, nuk e shohin si problem serioz, çështjen e zvogëlimit të të hyrave buxhetore nga doganat që nga fillimi i implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishme marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ata thonë, se të hyrat e zvogëluara nga implementimi i marrëveshjes, mund të kompensohen, nëse Qeveria e Kosovës do të shfrytëzonte fondet e BE-së të destinuara për Kosovën. Praktikisht, sipas drejtuesve të Doganave të Kosovës, rezulton se janë inkasuar 5 milion euro më pak të hyra, që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Stabilizim-Asociiim. Ndërkaq, Muhamet Mustafa, Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ka qenë e ditur se efekti i MSA –së, në të ardhurat buxhetore nga Doganat do të jetë negative për rreth 25 milion euro në vit. “Ka qenë e njohur, se efekti i MSA-së, në të ardhurat buxhetore nga Doganat do të jetë negative për rreth 25 milion euro ne vit, prandej nuk ka befasi”, thotë Mustafa.

Efektet pozitive të zbatimit të MSA -së

Megjithatë, kreu i komisionit parlamentarë ekonomik, përmend efektet pozitive të zbatimit të MSA-së, duke theksuar se me këtë marrëveshje rritet ndërlidhja me ekonominë evropiane dhe bashkëpunimin në shumë fusha. “Efektet pozitive, janë sepse ekonomia jonë mund ta rrisë eksportin në BE, të jetë më atraktive për investitorët nga viset e tjera, që duke prodhuar në Kosovë, mund të shesin pa doganë në BE. Në përgjithësi rritet ndërlidhja me ekonominë evropiane dhe bashkëpunimi në shumë fusha dhe zvogëlimi doganës kompensohet shumëfish nga burime të tjera, duke e përfshirë edhe infuzionin financiar nga BE –ja, e që në të ardhmen do të duhej rritur gjithashtu”, potencon Mustafa. Kurse, Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i institutit STRAS, thotë se minuset në dogana mund të kompensohen nga tatimet e vjelura në brendi, përkatësisht nga Administrata Tatimore e Kosovës.

“Marrë parasysh faktin, se doganat kanë vjelë më pak të hyra, meqenëse këto para është dashur të mbeten në xhepin e konsumatorëve, do të thotë, se mallrat e importuara nga vendet e BE-së, për shkak të heqjes së taksës doganore, në treg duhet të paraqiten me çmim 10 për qind më të lira. Kjo do të ndikojë në rritjen e qarkullimit dhe minuset që paraqiten në doganë, mund të kompensohen nga tatimet e vjelura në brendi, përkatësisht nga Administrata Tatimore e Kosovës”, shprehet Rexhepi. Sipas tij, problemi mund të qëndrojë vetëm te pozita e prodhuesve vendore. Ata do të përballen me një konkurencë më të ashpër se deri më tani. “Problemi mund të qëndrojë, vetëm te pozita e prodhuesve vendore, ata do të përballen me një konkurencë më të ashpër se deri më tani. Mirëpo, është koha që edhe ata të mësohen me atë konkurencë, në mënyrë që të jenë konkurente edhe në tregjet e jashtme”, potencon Rexhepi.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielen në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në diasporë dhe Kosovë)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat