"Lazarati 2", Prokuroria dërgon për gjykim “grupin e zjarrit” që vrau efektivin Ibrahim Basha

Kronikë e zezë

"Lazarati 2", Prokuroria dërgon për gjykim “grupin e zjarrit” që vrau efektivin Ibrahim Basha

Më: 25 qershor 2016 Në ora: 16:27
Ibrahim Basha

Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 të pandehur të dosjes “Lazarati 2”, lidhur me ngjarjet ku mbeti i vdekur efektivi i Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha.

Pesë të pandehur akuzohen për “vrasjen e punonjësit të policisë”, si edhe “vrasje e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë 5 herë e armëmbajtje pa leje.

Ndërsa 6 persona të tjerë akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim i forcave të policisë.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se një grup të rinjsh, nën drejtimin e shtetasve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.

Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit, së bashku edhe me persona të tjerë, kanë qenë të armatosur me armë të ndryshme.

Gjatë kontrolleve të policisë pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë. Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos. Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.

Në vijim të operacionit policor dhe, më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda akuzon shtetasit: Arbjon Aliko, Alban Aliko, Bajram Bocia,  Elvis Bocia, Elson Kazma, Xhulio Malo, Klodian Selimi, Oltian Proko, Dervish Gaba, Ruhan Hiraj dhe Iljaz Xhaferaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat