Loja e Kadri Veselit me demarkacionin, marrëveshja që po bëhet “mollë sherri” mes koalicionit

Politika

Loja e Kadri Veselit me demarkacionin, marrëveshja që po bëhet “mollë sherri” mes koalicionit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 qershor 2016 Në ora: 13:03
Kadri Veseli

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e cila ende nuk është sjellë për ratifikim në kuvend, ka sjellë në pah mos fuqinë e koalicionit qeverisës LDK-PDK. Kundërshtimit të kësaj marrëveshje nga ana e deputeteve të partive opozitare, kohëve të fundit i janë bashkuar edhe deputetët nga pozita.

Rasti i fundit është i deputetes së LDK-së, Beda Gaxherri, e cila ka thënë se demarkacioni më Malin e Zi duhet të rishikohet, dhe qeveria mos të ngutët në ratifikimin e tij.

Po ashtu ditë më parë, kemi dëgjuar edhe deputetët e PDK-së, siç është rasti i Adem Grabovcit, Xhavit Halitit e Nait Hasanit, të cilët kanë bërë thirrje që të rishikohet marrëveshja me Malin e Zi, duke shtuar dyshimet se PDK nuk do ta votojë këtë marrëveshje nëse ajo sillet në Kuvend për ratifikim.

Por analistët këtë e shohin si një lojë të kryetarit të PDK-së, dhe njëherit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, cili këtë zvarritje po e shfrytëzon për arsye te veta personale, në mënyrë që të arrijë qëllimet e tij.

Faik Krasniqi, analist dhe publicist thekson se Kadri Veseli ka qëllime të mëdha në politike dhe jo rastësisht nuk ka ardhur në postin e kryetarit të PDK-së zyrtarisht, pasi sipas tij ai ka qenë një kryeatr nën hije.

“Kadri Veseli ka ambicie të mëdha në politikë. Jorastësisht nuk erdhi fillimisht drejt e në postin e zëvendëskryetarit të PDK-së, post ky që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në asnjë parti, pastaj të Kryetarit të Kuvendit dhe jo më shumë se një muaj zyrtarisht edhe kryetar I PDK-së, edhe pse ai ka qenë gjithmonë kryetar nën hije i saj. Tash ai ka në dorë dy armë shumë të fuqishme, për ta prishur koalicionin me LDK-në dhe Kosovën ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Demarkacionin me Malin e Zi, dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Krasniqi. për gazetën Bota sot.

Sipas tij, në rast se vjen tek zgjedhjet parakohshme humbësja më e madhe do të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Padyshim se humbësja më e madhe do të jetë LDK-ja kurdo që të mbahen zgjedhjet, sepse elektorati i saj kurrë nuk do t'ia fal tradhëtinë që ua bëri, duke shkuar në prehrin e PDK-së dhe SHIK-ut. Besoj që do të jetë mësim i mirë ky për LDK-në, po jo vetëm për të, por për të gjitha partitë që lakmojnë pushtetin dhe bëjnë koalicion edhe me ata që deri dje i kritikuan për çdo të keqe që i ka ndodhur Kosovës, që nga krimet ekonomike e deri tek vrasjet me motive politike”, theskon Krasniqi.

Sipas tij zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin nëse Qeveria tenton që marrëveshjen për Demarkacion ta ratifikojë në Kuvend, dhe ratifikimi do dështonte të votohej.

“Qeveria po t'i kishte numrat e mjaftueshme për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, këtë do ta kishte shumë muaj më parë. Por. ata nuk i kanë votat e mjaftueshme, meqë duhen votat e 2/3 të deputetëve për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit. Sepse edhe deputetët e koalicionit të shumicës, PDK-së dhe LDK-së, edhe pse kanë heshtut deri më tash, pavarësisht se e kanë ditur që Kosova me këtë marrëveshje humb mbi 8200 hektarë, do të votojnë kundër ratifikimit të Demarkacionit, nëse Qeveria e dërgon për ratifikim në Kuvend. Dhe dështimi i ratifikimit automatikisht Kosovën do ta dërgonte drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Po ashtu edhe analisti Gazmend Islami, për gazetën Bota sot, thekson se demarkacioni me Malin e Zi, Kadri Veseli është duke e shfrytëzuar për qëllime personale të tij, në mënyrë që të arrij që vendin ta dërgojë në zgjedhje.

“Çështja e demarkacionit me kufirin me malin e zi është vërtetuar dhe mund te vërtetohet topografike që është një shkelje e rëndë kushtetuese sepse me vetëdije ose me pëlqimin e dikujt i është dhënë Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë, prandaj tash shihet se kjo është një shkelje drastike e kushtetutës dhe rëndit kushtetues, kjo mund të shihet si tradhti ndaj vendit. Ketë lojë politike tash është duke e bërë Kadri Veseli për interesa të veta, pra e mbanë pezull çështjen e demarkacionit, dhe në momente te caktuara, sepse çështja e demarkacionit nuk mund te kaloj pasi kemi deputetë brenda PDK-së, dikund 10 të cilët nuk e votojnë, por kemi edhe brenda LDK-së, siç është rasti i deputetit Shpejtim Bulliqi, cili nuk e voton, por ka edhe shumë te tjerë që nuk do ta votojnë”, thekson Islami.

Sipas Islamit, kjo mundë të jetë një mollë sherri mes LDK-së dhe PDK-së, gjë që lideri i PDK-së është duke e shfrytëzuar haspirën që i është dhënë.

“Kjo mund të jetë thyerja e parë apo mollë sherri në mes koalicionit. Momentin që vija e Kadri Veselit e shesh që mund t’i fitoj zgjedhjet e parakohshme të cilat do të vijnë shumë shpejt, atëherë do ta shfrytëzoj këtë kartë, pra çështjen e demarkacionit, atëherë do ta bej prishjen e koalicionit me LDK-në”, thotë Islami.

Ndërsa analisti dhe publicisti Skender Zogaj, thotë se marrëveshja e demarkacionit është bërë mollë sherri jo për çështje të problemit konkret që ka të bëjë me hapësirën territoriale të përfolur, por për faktin se opozitës i duhet një pretekst për të kontestuar pozitën aktuale, së cilës opozita me të drejtë, tenton t'ia rrëmbej pushtetin.

“Marrëveshja e demarkacionit është bërë mollë sherri jo për çështje të problemit konkret që ka të bëjë me hapësirën territoriale të përfolur, por për faktin se opozitës i duhet një pretekst për të kontestuar pozitën aktuale, së cilës opozita me të drejtë, tenton t'ia rrëmbej pushtetin sepse, ky është synimi plotësisht i drejtë i opozitës. Pra, demarkacioni është një çështje që është problematizuar për qëllime politike dhe aspak për qëllime patriotike, siç pretendon të thotë opozita, e veçmas VV, e cila po të ishte në pushtet do të ishte edhe njëqind herë më dorëlirë se pozita dhe, do 'ia dhuronte me kënaqësi edhe krejt Pejën e Mitrovicën shteteve fqinje”, thotë Zogaj.

Më tej sipas Zogajt çështja e Demarkacionit është tepër e rëndësishme dhe duhet që pozita ta zgjidh me kujdes dhe përgjegjësi historike, dhe pa asnjë interes partiak.

“Nëse marrëveshja kushtëzohet nga interesat partiake, si nga ana e PDK-s ashtu edhe e LDK-s, që të dyja do të dalin tepër të humbura dhe të koritura keq. Ratifikimi i marrëveshja është çështje e Parlamentit, ku deputetët që e konsiderojnë veten shqiptar duhet të gjykojnë mirë interesin e shtetit të Kosovës dhe të vendosin përmes votës së tyre. "PO-ja" ose "JO-ja" e tyre e gabuar është tradhti! Është për keqardhje niveli i disa deputetëve që, janë kumbarët e marrëveshjes, që kanë qenë përkrahës të zëshëm në fillim dhe tash po i hanë fjalët e tyre. Kjo është për keqardhje dhe flet për nivelin injorant të tyre, që kthehen kah frynë era dhe për një llokum e harrojnë misionin e tyre, harrojnë popull, zot e atdhe. Sidomos janë për tu vajtuar disa zëra të LDK-s, të cilët po e vërtetojnë dyshimin e dukurshëm se, brenda LDK-s janë të deleguar me detyra speciale. Kiropterët po mendojnë se u ka ardhur çasti të kafshojnë por e kanë keq, sepse kafshimi në këto kohë të liga është me pasoja edhe për ta”, theskon në fund për gazetën Bota sot, analisti Skender Zogaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat