Paralajmërimi: Ja sa mund t’u ndalohet azilkërkuesve hyrja në zonën “Shengen”

Aktuale

Paralajmërimi: Ja sa mund t’u ndalohet azilkërkuesve hyrja në zonën “Shengen”

Më: 15 qershor 2016 Në ora: 09:16
Ilustrim

Për të dytën herë sekretari belg i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin, Theo Francken, u ka bërë të ditur shqiptarëve se nuk kanë asnjë shans që të përfitojnë azil në Belgjikë.

Nëse rrezikojnë dhe zbulohen, atëherë do të ndalohen 8 vite për të hyrë në “Shengen”. “Shqipëria është në zonën e listës së sigurt”, tha Francken, ndërsa kërkoi që të mos abuzohet me liberalizimin e vizave.

“Është e pamundur që të akordohet azili në Belgjikë për shqiptarët. Dhjetëra shqiptarë vijnë çdo ditë dhe kërkojnë azil në Belgjikë. Ky veprim s’ka kuptim. Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. Kjo nënkupton se tanimë çdo kërkesë për azil do t’i nënshtrohet një procedure tejet të shpejtë dhe një refuzimi pothuaj të sigurt të aplikimit përkatës”.

Sipas përfaqësuesit të shtetit belg, numri i azilkërkuesve shqiptarë është reduktuar. “Në 2015 kishte një rritje me 15%, por e them edhe një herë, për Belgjikën Shqipëria është një vend i sigurt, çka nënkupton se numri i azilkërkuesve prej saj duhet të jetë zero. Është shpenzim i kotë parash për shqiptarët që vijnë dhe kërkojnë azil në Belgjikë. Shqipëria është një vend që ka të liberalizuara vizat për vendet ‘Shengen’ dhe në këtë mënyrë nuk duhet që të abuzoni me liberalizimin e vizave sepse janë për ata që duan të shohin të afërmit, të bëjnë pushime apo të ndërtojnë biznes. Nuk do të tolerojmë në asnjë moment”, theksoi ai.

Vetëm gjatë vitit 2015 mësohet se janë kthyer pas nga autoritetet belge më shumë se 1 mijë shqiptarë dhe vazhdon kthimi i të tjerëve.

“Azilkërkuesit nuk rrezikojnë vetëm refuzimin e menjëhershëm, por edhe ndalimin e tyre të hyrjes deri në 8 vjet në zonën ‘Shengen’. Dua të falënderoj shtetin shqiptar që ka siguruar kufijtë, duke reduktuar numrin e azilkërkuesve dhe duke mbyllur rrugën që të gjithë e njohim përmes Greqisë dhe Maqedonisë. Reforma në Drejtësi natyrisht që është e rëndësishme dhe unë si pjesëtar i shtetit belg e ndjek dinamikën dhe kërkoj që të votohet”, tha Francken.

Më herët, ai takoi zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Zv.ministrja Elona Gjebrea theksoi se gjatë këtij sezoni do të nisë një fushatë sensibilizuese për pasojat që vijnë pas abuzimit me vizat dhe kërkimit të azilit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat