Lumezi u kërkon maturi Enver Hasanit dhe Hamdi Ibrahimit

Lajme

Lumezi u kërkon maturi Enver Hasanit dhe Hamdi Ibrahimit

Më: 10 qershor 2016 Në ora: 15:42
Aleksander Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili disa herë është apostrofuar si ideatori i aktakuzave për ish kreun e gjykatës kushtetuese Enver Hasani ka vendosur që t’i qortojë zyrtarët e drejtësisë për deklaratat e tyre në publik.
Tri ditë pas polemikave të ashpra në mes të Enver Hasanit dhe Hamdi Ibrahimit rreth imunitetit të ish kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Lumezi ka kërkuar nga zyrtarët e drejtësisë të përmbahen nga deklaratat.

”Avokatët gjatë kryerjes së funksionit të tyre njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhen të përdorin ndaj njëri-tjetrit terminologji shpifëse, ofenduese, denigruese, sepse kjo nuk i ndihmon proceset gjyqësore, kjo shpeshherë tregon një paaftësi për të zgjidhur çështjen”, ka thënë Lumezi.

Lumezi këtë deklaratë e ka bërë gjatë ceremonisë së shënimit të përvjetorit të themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës ku ka kërkuar nga avokatët që gjatë deklarimeve publike të kenë kujdes në ruajtjen e imazhit të drejtësisë.

“Të gjithë ne duhet të kontirbuojmë që ky mentalitet të mos bëhet realitet dhe duhet që sa më shumë të përdorim gjuhë konstruktive, vetëm kështu do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë pa fyerje për njëri- tjetrin”, tha Lumezi.

“Ne nuk mund të ndikojmë në sjelljet e të tjerëve ndaj neve, por mund të ndikojmë në reaksionet tona”, u shpreh ai.

Enver Hasani dhe Hamdi Ibrahimi u përfshinë para tri dite në një polemikë të ashpër publike që lidhet me çështjen e imunitetit të ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat