Përfaqësuesit e punëtorëve: Papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind

Ekonomi

Përfaqësuesit e punëtorëve: Papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 15:40
Ilustrim

Në Kosovë niveli i papunësisë thuhet të ketë shënuar rënie të lehtë. Sipas të dhënave të publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ka qenë 32.9 për qind, kurse në vitin 2014 kjo vlerë ka qenë në 35 për qind.

Por, pavarësisht statistikave, përfaqësues të punëtorëve mbajnë qëndrimin e tyre se shkalla e papunësisë është mbi 50 për qind .

Se papunësia mbetet problemi kryesor më të cilën përballen qytetaret e Kosovës, thuhet edhe në një raport të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), sipas të cilit 78 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se kushtet socio-ekonomike janë problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova.

Të prekurit nga papunësia janë të rinjtë, ku sipas anketës të ASK-së 57.7 për qind e të papunëve i takon moshës 15-24 vjeç.

Haxhi Arifi, udhëheqës në Bashkimin e Sindikatës se Pavarur të Kosovës, (BSPK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shkalla e papunësisë në Kosovë, llogaritet të jetë më e lartë.

Ai thotë se pavarësisht iniciativave të fundit, për krijimin e vendeve të reja të punës, angazhimi i autoriteteve kompetente duhet të jetë më i fokusuar në përmirësimin e sektorit privat, sektor ky, që sipas tij, gjeneron numrin më të madh të të punësuarave.

“Ne si BSPK e dimë që papunësia është shumë më e lartë se ato statistika. Te tregu i punësimit ka shumë probleme, dhe më një iniciative më të mirë do të vinim deri tek realiteti i statistikave”, ka thënë Arifi

Duke mos dyshuar në metodologjinë e përdorur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” dyshon se përqindja e prezantuar e papunësisë përkon me realitetin në terren.

Ai madje kujton se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, shkalla e papunësisë ka qenë rreth 45 për qind.

“E para është se kjo shifër është shumë larg asaj që ka dal nga regjistrimi i përgjithshëm ipopullsisë, para pesë vitesh. Dhe njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, Kosova nuk ka pasur një normë të lartë të zhvillimit ekonomik e cila ka mundur të ndikojë kaq shumë në rënien e papunësisë nga 45 për qind në rreth 33 për qind”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, ditëve të fundit, ka pasur një angazhim të autoriteteve

kompetente për hapjen e vendeve të reja të punës nga investitorë të jashtëm.

Rreth 40 kompani kanë prezantuar qindra vende të reja të punës në Kosovë, por edhe në Gjermani, kryesisht për profesionet e ndërtimtarisë, të përpunimit të ushqimit, arkitekturës, enterierit, në fushën e mjekësisë dhe të tjera.

Haxhi Arifi, konsideron se përpjekjet e autoriteteve kompetente janë intensifikuar kohëve të fundit, por rezultate mund të shihen më vonë.

“Por, është një e vërtet se ka një lëvizje pozitive edhe në kuadër të punësimit edhe me investitorët e jashtëm potencial. Por, nevojitet një punë më e madhe e autoriteteve vendore. Kurse investimet në sektorët e paralajmëruar janë të mirëseardhura për shtetin tonë”, ka thënë Arifi.

Ndryshe edhe në anketën e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se prodhimi, tregtia arsimi dhe ndërtimtaria janë sektorët në të cilët është i punësuar numri më i madh i qytetarëve.

Kurse sa i përket të punësuarve rezulton se 28 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 72 për qind kanë kontratë të përkohshme.

 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat