“Justina Aliaj Show” në TKOB

Muzikë

“Justina Aliaj Show” në TKOB

Më: 6 qershor 2016 Në ora: 16:30
Justina Aliaj

Artisja e njohur Justina Aliaj vjen mbrëmjen e së hënës me një koncert në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Një artiste e madhe, që publiku e vlerëson jo vetëm për këngën, por dhe për artet e tjera ku ajo ka interpretuar, si në film apo teatër.

Por këtë herë për atë që artistja nderuar me titullin “Mjeshtre e Madhe” e titullon “Justina Aliaj-show” ka zgjedhur një skenë shumë të veçantë për të. Më shumë se katër dekada kanë kaluar qysh nga koha kur Justina Aliaj nuk është prezantuar para audiencës, si pasojë e asaj, që në kohën e komunizmit, ajo ishte dënuar me ndërprerjen e studimeve të artit dhe e kishin dërguar në prodhim.

Ishte viti 1972 kur në skenën e TOB do të zhvillohej Festivali i 11 i Këngës, ku artisten dënuan, për të vijuar më pas një kalvar vuajtjesh. E pikërisht në skenën që i ndërprenë aktivitetin e saj, artistja Justina Aliaj vjen për publikun me një mbrëmje të larmishme artistike, e cila nuk do të përmbajë vetëm këngë, por dhe poezi, etj.

“Mjeshtre e Madhe” Justina Alij pohon se kjo do të jetë një mbrëmje me shumë emocione dhe se tashmë ka ardhur çasti i saj. “Në Teatrin e Operës e Baletit, do të performoj show-n tim live. Kjo është nata më e shumëpritur e jetës time artistike. Do t`ju dal përballë mbas më shumë se katër dekadash, me tërë respektin e dashurinë e mallin e patreguar që kam për publikun.

Në këtë ngjarje të madhe unë do të përjetoj shumë emocion, vërtetësi e pasion. Për mua erdhi çasti”, shprehet artistja Justina Aliaj, ku hyrja për publikun në këtë show do të jetë e lirë.

Kjo mbrëmje këtë herë do të jetë vetëm me artin e Justina Aliajt, por siç pohon dhe vetë artistja ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës si dhe të RTSH. Ajo tregon se këngët e saj do ti interpretojë në pesë gjuhë, por nuk do të mungojnë dhe surpriza të tjera për publikun të hënën në mbrëmje. “

Nga viti 1972 kanë kaluar 44 vjet. Jemi në 2016 dhe unë nuk kam as një CD me krijimtarinë time muzikore. Në këtë koncert janë më shumë se katër dekada. E zhvilloj koncertin në Teatrin e Operës dhe Baletit, sepse këtu kam bërë karrierën time, pasi festivalet zhvilloheshin në këtë skenë. Aty jam dënuar në Festivalin e 11 të Këngës, dhe po rikthehem po në këtë skenë.

Kam mall. Do të këndoj këngët e mia në pesë gjuhë, në italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe shqip. Një pjesë janë dhe këngë të reja që për herë të parë i interpretoj këtu, këngë shkodrane, etj”, shton më tej mbi koncertin artistja Justina Aliaj.

Për recitalin “Justina Aliaj-show”, artistja tregon se ka bashkëpunuar dhe me Korin e TOB si dhe Kori i Shkodrës, që do ta shoqërojë në këtë mbrëmje. Por pjesë e këtij show janë dhe disa nga krijimet e autorëve më të njohur, që do të interpretohen për publikun. “Pjesë do të jenë dhe krijime nga Migjeni, Dritëro Agolli”, zbulon artistja mbi mbrëmjen e datës 6 qershor në TOB.

Ndërprerja e jetës artistike

Justina Aliaj mbetet një yll i këngës dhe skenës shqiptare. Në kulmin e arritjeve dhe suksesit, kur aktorja, këngëtarja e madhe Justina Aliaj ishte duke u ngritur për të kapur majat më të larta të suksesit të saj dënohet. Dhe Justina, si shumë artistë të tjerë të asaj kohe në fillim vitet ‘70 pati fatin e hidhur të jetës së saj të provonte dënimin komunist.

Nuk e lejuan të këndojë në festivalet e këngës në radiotelevizion dhe në të gjitha aktivitetet e ndryshme, ku Justina ishte shumë e suksesshme, madje shkuan edhe më tej; këngët e kënduara nga ajo nuk duhet të transmetoheshin.

Larguar nga Shqipëria me dhimbje në vitin ’91, me rikthimin e saj në vitet e fundit Justina Aliaj nuk i mungoi skenës së teatrit. Ka lozur në disa skena duke marrë duartrokitje. Edhe pse Justina i mungoi spektatorit, përsëri dalja e saj në skenë pas shumë vjetësh me këngën ngjall emocione të mëdha.

 
 
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat