LSDM mund t’i rikthehet bojkotit të Kuvendit

Maqedonia

LSDM mund t’i rikthehet bojkotit të Kuvendit

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 18:27
Kuvendi i Maqedonise

Nga shtatori, deputetët e LSDM-së mund ti kthehen sërish bojkotit të Kuvendit nëse deri atëherë nuk përmbushen kushtet e kësaj partie për një proces elektoral demokratik dhe nëse nuk caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Social demokratët maqedonas megjithatë theksojnë se vendimi për t’i braktisë ulëset e parlamentit nuk është marr ende zyrtarisht por po shqyrtohet në organet partiake.

“LSDM është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet, megjithatë, vendimi për cilin më pyesni ju, e sjellin organet partiake. Do të spekuloja nëse them se kemi marr një vendim të tillë. Pra për këtë duhet të diskutojnë organet e partisë, por është fakt se vetëm LSDM i ka përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga marrëveshja e Përzhinës”, tha Goran Sugarevski, LSDM.

Analisti Erol Rizaov thotë se bojkoti nuk është në përputhje me frymën evropiane. Megjithatë, sipas tij, për rrethanat aktuale në të cilat ndodhet Maqedonia, do të ishte i pranueshëm nëse përdoret si presion në procesin e demokratizimit të vendit. Ai, mendon se mungesën e opozitës në Kuvend, mazhoranca do ta shfrytëzonte përsëri për të miratuar ligje pa debat dhe në favor të partive në pushtet.

“Bojkoti është presion. Në një rast të tillë do të kishim parlament me një ose dy parti në pushtet, siç e kemi provuar. Por, siç e shoh kjo nuk e shqetëson fare pushtetin. Madje, mendoj se ata dëshirojnë të jetë ashtu, të bëjnë zgjedhje vetë, të kenë 90 apo 100 vende në kuvend apo të jenë vetë në kuvend. E pamë se si funksionoi kjo, miratonin ligje pa debat dhe në fund pasojat nuk i ndjejnë vetëm ata që bojkotojnë por edhe qytetarët”, deklaroi analisti Eroll Rizaov.

31 deputetët e LSDM-së ndërprenë bojkotin një vjeçar në shtator të vitit të kaluar, pas firmosjes së marrëveshjes së Përzhinës. Por, tani që lideri i LSDM-së Zoran Zaev, e ka shpallur të vdekur këtë dokument politik, është aktualizuar tema që opozita ti rikthehet bojkotit. Analistët, vlerësojnë se një vendim i tillë i opozitës do të kthente vendin shumë hapa prapa.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat