Presidenti Obama mbron politikat e tij ekonomike

Amerika

Presidenti Obama mbron politikat e tij ekonomike

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 16:44
obama

Presidenti Barack Obama ishte dje në Elkhart të shtetit Indiana, për të denoncuar teoritë e republikanëve se politikat e tij dëmtojnë ekonominë. Qyteti Elkhart ishte i pari që vizitoi zoti Obama si president në vitin 2009, kur niveli i papunësisë së atjeshme ishte rreth 20%.

Papunësia tashmë ka rënë në nivelin 4% dhe zoti Obama ja atribuoi këtë arritje vendimeve të mençura të administratës së tij dhe të Kongresit për të krijuar vende të reja pune në mbarë SHBA-në.

Presidenti Obama u kërkoi njerëzve të ruhen prej politikanëve që përfitojnë nga shqetësimi i tyre për të ardhmen e ekonomisë së vendit duke u përpjekur të marrin votat e tyre.

“Në vend që t’ju thonë se çfarë përfaqësojnë, ata kanë paraqitur një axhendë ekonomike që është kundër meje. Mesazhi i tyre bazë është anti-qeveri, anti-emigracion, anti-tregti, dhe mbi të gjitha kundër ndryshimit.”

Gjatë një takimi me banorët të transmetuar në kanalin televiziv PBS, presidenti tha se nuk shikon se si do të përfitojë klasa e mesme nga disa propozime të republikanëve, si p.sh. lehtësimi i rregullave për bursën Wall Street apo ulja e taksave për të pasurit.

Presidenti Obama nuk shprehu mbështetjen e tij për kandidaturën e Hillary Clinton apo Bernie Sanders për president, duke shtuar se të dy mbështesin synimet e tij. Ai tha se Partia Demokrate ndoshta do të dijë kush do të ketë gjasa të jetë kandidatura e nominuar pas zgjedhjeve paraprake të së martës në New Jersey dhe në Kaliforni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat