Tahiri replikon me Blushin: Ti nuk je socialist!

Shqipëria

Tahiri replikon me Blushin: Ti nuk je socialist!

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 16:28
Saimir Tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, reagoi pas fjalës së deputetit Ben Blushi në seancën e sotme të Kuvendit. Tahiri tha se Blushi me qëndrimet e tij fyeu socialistët. Ministri i Brendshëm theksoi se PS-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj në raport me ligjin.

“I fundit që do të doja të dëgjoja këtë je ti Blush. Të thuash se nuk jam socialist se socialistët mbrojnë kriminelët, unë jam i fyer. Kush i mbron banditët këtu? Unë, Fatmiri, Bashkimi, Gramozi? PS-ja nuk ka ndodhur kurrë të ketë pasur një qasje në raport me ligjin si kjo që ka sot. Moza (Mimoza Hafizi) e di shumë mirë këtë. E di qasjen tonë me shtetin dhe ligjin. Kjo është një çështje që ne duhet të na vërë përballë me vendimmarrjen e PS-së dhe qeverisë. Kështu ne u themi qytetarëve se këtu në Parlament është legjitime të vish dhe të akuzosh këtë. Nuk është kjo Shqipëria, nuk është ky Parlamenti. E refuzoj idenë se këtu paska më shumë banditë sesa ka pasur. Pres të gjykohemi secili për veten dhe më pas kolektivisht për atë që bëjmë. Sepse ky Parlament pas vitit 20134 është ngritur mbi një rrënojë morale”, tha Tahiri.

Duke u ndalur në rastin e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Tahiri tha se PS-ja e ka mbështetur përsa kohë nuk ka pasur dijeni për çështjen e tij në Itali, por është distancuar në momentin e zbulimit të këtij fakti.

“Unë dëgjova që ti Blush the se nuk je më socialist sepse socialistët mbrojnë bandat. Edhe sipas meje, nuk je më socialist. Kjo ka të bëjë me sa bashkërisht duhet të jemi të drejtë me qytetarët. Ne ndahemi me të kaluarën. Në këtë Parlament e kam pyetur Berishën pse e mbante Sefgjinin në detyrë, edhe pse ishte në arrest shtëpie.

Ne duhet të mbrojmë këdo që i emëruar apo i zgjedhur është vënë në bankën e të akuzuarit nga Berisha pa asnjë kauzë dhe ndahemi me ta kur faktet na vënë përballë një realiteti që nuk e pranojmë. Ky është ndryshimi i madh që kemi ne, këtu ndahemi. Këto linja na dallojnë për besimin që na dhanë shqiptarët në 2013.

Sondazhet tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Nuk është gjithçka por nuk është pak. Për këtë shkak, në këtë foltore duhet të jemi më të drejtë me njëri-tjetrin. Nuk mbrojmë ata që kanë probleme me drejtësinë, por askush nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, tha ai.

Pjesë nga debatet

Blushi: Unë nuk e paguaj dot çmimin e të qenit socialist nëse 10 për qind e kryetarëve të bashkive që kjo parti ka kandiduar janë në konflikt me ligjin, nëse kjo parti nuk mbron, por cenon interesin publik. Nuk është PS-ja detyrimisht në konflikt me interesin publik, por vëllazëria e vesit, Rilindja. Ajo është një skemë vesi. Gjylameti, çfarë ke? Ti je një rilindëse e devotshme. Kryetari i Bashkisë së Kavajës ka përdhunuar, ai më ka kërcënuar.

Braçe: Është socialist njëri apo tjetri, të shkojë në parti, nëse s’i mjafton të shkojë edhe në anëtarësi. Nëse do të kuptojë kush është PS-ja, jua them unë, kjo është PS-ja që ka vënë ligjin mbi partinë. Për herë të parë në historinë 25-vjeçare nuk ka parti që të ofrohet si ombrellë për çdo lloj keqbërësi të ballafaquar me ligjin dhe gjykatën. Kjo është PS-ja...

Ahmetaj: Mos e shkelmo vesin, vesin e ndryshimit, të të bërit reformë. E kishim zgjedhjen të flinim mbi kalbësirën dhe të mbronim interesat e vogla të socialistëve pseudo, por nuk e bëmë. Ne jemi të qartë se interesi publik është i përputhur me përpjekjen për të ndryshuar Shqipërinë.

Mos e krijoni partinë mbi baltë duke hedhur baltë mbi partinë që ndryshon Shqipërinë. Mos përdorni togfjalësha, sepse kjo ju diferencon nga ne.

Referoju papunësisë së të rinjve që ka rënë me 0.4 për qind. Mos u bëj si Sali Berisha.

Gjatë rrugës tonë ka edhe gropa. Ka dilema dhe gabime. Por fuqia është të ngrihesh mbi gabimin dhe ta korrigjosh. Fuqia është të kuptosh që nuk je i përkryer dhe të përpiqesh të përmirësohesh.

Blushi: Erdha për të folur për një çështje që shqetëson Shqipërinë. Kongresin e partisë e kemi mbaruar, nuk është dita për të bërë Kongresin numër dy. Unë jeton në Shqipëri se nuk kam qenë kurrë në emigracion. Unë me pak miq e kam rrëzuar Saliun me një gazetë. Për të rrëzuar Rilindjen, mund ta bëj me më pak. Kjo sepse Rilindja nuk ka asnjë ndryshim nga Saliu”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat