Anisa Zani: Çfarë bëj kur jam e zhveshur nga uniforma e polices

Mediale Vip

Anisa Zani: Çfarë bëj kur jam e zhveshur nga uniforma e polices

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 12:02

Ajo është një ndër femrat më të bukura, por nuk është as modele e as mis. Anisa Zani është police, tashmë me një përvojë pune katërvjeçare në Policinë e Shtetit. Është 23 vjeçe, ndërsa ambiciet për tu bërë drejtuese e zonja janë të mëdha. Ajo po përflitet jo vetëm për bukurinë që e karakterizon, por edhe si një police e zonja. Për “Shekulli”-n, ajo tregon punën e saj, si procedon me personat që shkelin ligjin dhe a u vendos gjoba atyre që e komplimentojnë në orar të punës. Anisa tregon edhe për vështirësitë e të qenët police, por sa më shumë të shtohen vështirësitë aq më tepër i pëlqen asaj. Mes rreshtash, Zani flet për jetën e saj, pasi zhvishet nga uniforma.

Anisa, je konsideruar si model i policeve. Si ndihesh për këtë fakt?

Është një fjalë shumë e madhe kjo pasi si unë ka shumë femra të cilat punojnë me përkushtim dhe devotshmëri. Megjithatë kjo ishte ajo çfarë unë i kisha vënë detyrë vetes, të jepja maksimumin, duke u bërë një model, duke zbatuar me përpikmëri ligjin dhe duke kryer detyrën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht që ndihem mirë. Mendoj që çdokush do të ndihej mirë të konsiderohej si model i femrave në çfarëdolloj aspekti, megjithëse jam e bindur se ka edhe të tjera femra të cilat janë model dhe përkushtohen shumë në punën si police.

A ka raste që të komplimentojnë kur ndalon persona që thyejnë rregullat?

Sigurisht që po. Të jem e sinqertë ka edhe raste kur marr komplimente. Është fakt që djemtë tanë janë paksa xhentilë. (Qesh) Ka edhe nga ato raste kur i thyejnë rregullat me qëllim për të bërë komplimente.

Si përgjigjesh ti?

Sigurisht që do i falënderoj, sepse nuk mund të tregohem vulgare dhe më pas vazhdoj procedurat me përpikmëri me ligjin. Nuk do marrë gjobë për komplimentin, por për ligjin që ka shkelur.

Ke falur ndonjë nga ata që kanë shkelur ligjin, për shkak të fjalëve të bukura që të kanë adresuar?

Mbase, nëse bën dikush një gabim të përmasave të vogla dhe më flet me fjalë të bukura edhe do e falja, por gjithmonë kur jam e zhveshur nga uniforma. Nëse jam me uniformë, fjalët e bukura marrin një “faleminderit”, ndërsa shkelësi merr gjobën për shkeljen sipas ligjit.

A ndihet i fejuari yt i mbrojtur kur është pranë teje?

Unë ndihem e mbrojtur kur jam pranë tij. Asnjë uniformë nuk është mburojë e fortë si mburoja e dashurisë. Për më tepër, ai ndihet i lumtur pasi puna ime është kënaqësia dhe lumturia të cilat unë i ndaj me të.

Sa ndryshe është një police nga një femër e një profesioni tjetër, çfarë zotëron më tepër apo çfarë e bën të veçantë?

Nuk di çfarë të them, çdo profesion kërkon përkushtimin e tij. Mendoj se të jesh police femër ka një tjetër autoritet, përgjegjshmëri, ku duhet të tregohesh dyfish më e matur, më e duruar dhe më e sakte ndaj çdo ngacmuesi të jashtëm.

Ç’të shtyu të bëheshe police (dhe pse jo modele)?

Vështirësia që ka kjo punë më ka shtyrë ta ndjek këtë rrugë dhe pse është e vështirë gjithmonë i kam thënë vetes: “Unë mund t’ia dal.” Dhe deri tani mendoj se ia kam arritur dhe pse me shumë sakrifica, sepse është një punë që gjithmonë duhet të jesh larg shtëpisë në çdo rast.

Çfarë vështirësish ke hasur?

Po vështirësi kam hasur sidomos kur kam punuar me Rendin dhe me “Shqiponjat” sepse puna ka qenë me tri turne dhe shpesh herë turni i tretë zakonisht ka pasur probleme nga më të ndryshmet. Ka pasur raste kur kemi ndërhyrë në konflikte, ka pasur edhe raste kur kemi arrestuar persona me rrezikshmëri.

Të ardhmen e sheh në këtë profesion?

Po, të ardhmen e shikoj te ky profesion dhe dëshira ime më e madhe është që të kaloj çdo vështirësi dhe një ditë të bëhem një drejtuese femër e zonja. Dua të falënderoj familjen se më ka mbështetur në çdo hap dhe kanë qenë gjithmonë ata që më kanë dhënë kurajë për të vazhduar këtë rrugë të vështirë.

Duke qenë se je ndër policet më simpatike, mendon se do të ndihmojë kjo për karrierën tënde?

Jo, nuk jam e këtij mendimi. Mendoj që karrierën e ndihmon përkushtimi, serioziteti në punë dhe korrektësia në zbatimin e ligjit. Jo, sepse bukuria nuk ndikon te karriera. Te karriera ime ndikon vetëm aftësia në punë dhe përkushtimi që ka ky progresion.

A e ke ëndërruar në vogëli që një ditë do të bëheshe police?

Që e vogël e kam admiruar këtë profesion dhe më është dukur puna më e bukur, më ka pëlqyer gjithmonë policia sepse gjithmonë kam dashur të ndihmoj njerëz dhe për vendin tim dua të jap një kontribut sado i vogël që mund të jetë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat