Artisti duhet ta tregoj veten "live" (Foto)

Mediale Vip

Artisti duhet ta tregoj veten "live" (Foto)

Nga: Maksim Gjokaj Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 13:58

Atë e sheh në shumë mbrëmje muzikore, me një zë të veçantë dhe që gjithmonë i ikën “playback-ut”, pasi Zoti i ka dhuruar talentin dhe zërin e bukur për të kënduar gjithmonë “Live”. Është ky artisti me origjinë nga Podujeva por që ka vite që jeton në Prishtinë, Armend Sherifi, i cili në rrëfimin e tij për “Bota sot” na tregon se si ka nisur viti, planet e tij si dhe a ka në mendje një artist për të realizuar ndonjë duet, plus flet edhe për ftesën më të afërt që ka marrë për të kënduar përtej oqeanit në Amerikë.

“Bota sot”: Përshëndetje Armend si ka nisur ky vit i ri?

-Përshëndetje! Ju faleminderoj për intervistën që ndatë kohë për mua.

“Bota sot”: Po viti 2015-të e dimë se ke pasur shumë angazhime, si ishte viti që shkoi?

- Të them të drejtën ky vit filloi mjaft mirë, e me angazhime të ahengjeve dhe mbrëmjeve të ndryshme që nga 2 janari jam aktiv nëpër mbrëmje dhe është duke shkuar gjithçka në rregull.

“Bota sot”: Më mirë të marrësh pjesë nëpër festivale me një këngë të re, të realizosh klipe apo albume?

-Të marrësh pjesë në festivale është ndenjë e veçantë, të performosh para gjithë atyre njerëzve që të duan ndihesh mjaft i privilegjuar. Në këtë rast dua të përmend pjesëmarrja ime e parë ishte në festivalin e madh Kombëtar “Kosova Fest 2011”, kënga ishte në stilin RnB e titullohej "Më mungon". Kjo këngë është transmetuar shumë herë në MTV Kosova e publiku e pëlqeu shumë dhe më nxiti që të vazhdoj tutje që mos të ndalem. I faleminderoj të gjithë që më përkrahen deri më tani, fillimisht Zotin që më dha një zë që e pëlqen publiku, mandej familjen, shoqërinë, dashamirët që gjithmonë qëndruan besnikë me mua. Kurse sa i përket me realizu këngë të re normal një hap i rëndësishëm për çdo këngëtar. Përmes këngëve të reja, këngëtari dëshmon që është duke u përpjekur tu sjell diçka të re me projektet e tij , albumi tregon personalitetin tënd dhe eksperiencën që ke në muzikë për këndim

“Bota sot”: E dimë se këndoni gjithmonë “live” në shumë mbrëmje, ndodh që të keni kënduar ndonjëherë në “Playback”?

-Kam kënduar dhe “playback”, por nuk jam ndier mirë në këndim “playback”, sepse unë kam filluar karrierën me muzikë “live” dhe aty e gjej veten në interpretimin e muzikës “live”. Unë preferoj që më shumë artisti e tregon veten në “live”.

“Bota sot”: Evenimenti apo mbrëmja e paharruar për ty?

-Mbrëmja e paharruar është ajo në programin festiv të Vitit të Ri "Star Tv Viti 2012" në Drenas me kolegun Valon Selimi realizuam një këngë ritmike e cila pati sukses të madh kënga “Edhe e bukur 2012". Në fillim kur filluan xhirimet e programit kishte artistë të mëdhenj të estradës, por nga mosha ne të dy ishim më të rinj. Kur na erdhi radha për paraqitje publiku menduan që ne jemi të ri dhe nuk i kemi kushtuar rëndësi shumë këngës. Kur mbaroi kënga të gjithë u ngritën në këmbë duke duartrokitur, në atë moment u ndjeva i emocionuar që gjithë ai publik i madh vlerësuan lartë punën time. Na përgëzuan duke na thënë: “Na befasuat djemë, ju priftë e mbara!”.

“Bota sot”: Po si të presin dhe si është marrëdhënia me artistë të tjerë të estradës? A keni një mik apo mikeshë të ngushtë që merrni këshilla, apo thjesht pinë kafe me të?

- Raportet e mira i kam me të gjithë artistët e estradës shqiptare, kam respekt për të gjithë pa dallime, natyrisht kemi kontakte dhe marrëveshje të mira. Dua të them që s'mundem ta veçoj vetëm një, sepse kam shumë miq që më përkrahin dhe më japin kurajo me vazhdu tutje. Këshilla marrë nga mbretëresha ime nëna.

“Bota sot”: Po ndonjë duet deri më tani dhe me cilin apo cilën këngëtare ia vlen dhe përshtatesh më shumë që të kesh një bashkëpunim?

- Nuk kam menduar ende për duet, por do të jetë një duet, në një të ardhme të afërt, mbetet të zbulohet me kohën.

“Bota sot”: I beson kompozitorëve, apo ndodh që edhe ju të realizoni një ide dhe një vijë melodike dhe tua propozosh e më pas të këndosh?

-Shumë raste ka që kam bërë vijën melodike të këngës, dhe po ashtu ka ndodhur kur kam shkruar një pjesë të tekstit, pastaj kompozitori ka pranuar idenë time, mandej kënga është finalizuar ashtu siç e kemi planifiku së bashku. I besoj kompozitorit të mirë dhe ai që nuk të lejon të gabosh.

“Bota sot”: A ka një këngë Armendi që të tjerët i thonë se si ti se këndon askush?

-Këngën që publiku thotë se e këndoj më së miri është pikërisht kënga ime e parë "Lutjet e natës", e punuar në vitin 2010 nga një ekip i madh e me artistë të mëdhejn. Nexhat Macula (grupit Tnt me kitare), Bahri Zariqi (kompozitor ) e me tekst nga Lulzana Pajaziti ( shkrimtare e poezive), e orkestrimin nga Dj Cimi.

“Bota sot”: Muzika popullore është ajo që ju flen më shumë, por ndonjë rrymë tjetër?

-Më pëlqen çdo rrymë e muzikës, por unë më shumë jam i fokusuar tek muzika popullore, aty e kam gjetur veten.

“Bota sot”: E vërtetë që këndoni shumë mirë edhe në gjuhën turke, po ndonjë gjuhë tjetër?

-Po shpesh herë këndoj turqisht, e ka disa këngë atmosferike që publikut i pëlqejnë edhe pse janë në gjuhën turke, sidomos këngët e Ibrahim Tatlises. Në ndonjë gjuhë tjetër përveç shqip dhe turqisht nuk kam provuar të këndoj.

“Bota sot”: Projekti i rradhës kur do të vijë, apo ndonjë koncert dhe na trego se ku kë më shumë ftesa, dhe si e parashikon vitin 2016-të në karrierën tënde?

-Koncerti i radhës do te jetë tani në Amerikë, e pikërisht në "New York ", atje do të jem bashkë me shumë kolegë të tjerë . E ftesa më shumë kam në Kosovë, pothuaj në çdo qytet. Projektet e reja do jenë në stinën e verës, një këngë me klip, e ku kënga do jetë ritmike. Ju faleminderit dhe respekt!.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat