I propozoi Bleonës për martesë, Dalip Gjoka sulmoi edhe vëllanë e tij

Mediale Vip

I propozoi Bleonës për martesë, Dalip Gjoka sulmoi edhe vëllanë e tij

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 09:44

Ndonëse ende nuk ka një diagnozë të përcaktuar dhe të bërë publike nga ana e mjekëve të spitalit psikiatrik nr.5 të Tiranës për mjekun që i propozoi për martesë Bleona Qeretit, mësohet se ndaj tij në prokurorinë dhe në policinë e Burrelit ekziston një kallëzim që është kryer nga vëllai i tij. Kallëzimi është bërë për ushtrim dhune nga ana e Dalip Gjokës ndaj vëllait të tij, ndërsa që prej asaj dite mësohet se vajzat dhe gruaja e tij edhe janë detyruar ta sjellin në Tiranë, në pavionin e Psikiatrisë, njeriun e jetës së tyre. Sipas të dhënave që vijnë nga policia e Matit saktësohet se është ngritur një pretendim nga ana e vëllait të tij, M. Gjoka për ushtrim dhune ndaj tij, pasi ky i fundit i ka kërkuar që të fliste me të për të sqaruar gjithçka po ndodhte me të dhe kërkesat e tij publike.

Në fakt, familja Gjoka, është tronditur nga çfarë mediet kanë arritur të përcjellin mbi kërkesat e Dalipit, 64-vjeçarit që ka bërë edhe propozimin e bujshëm që sfidoi gjithçka që lidhej me mentalitetin shqiptar. Nuk bëhet e ditur nëse prokuroria ka regjistruar procedim penal për kallëzimin e kryer nga M.Gjoka, ndonëse në dijeni të përplasjes mes vëllezërve saktësohet se është një prokuror dhe një punonjës i Policisë së Shtetit, ku njëri ka qenë edhe i pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka marrë dijeni për shkak të rrethanave të ngjarjes. Megjithatë, burimet e policisë bëjnë me dije se që prej daljes së letrës së mjekut pediatër në media, ku kërkonte të ishte babai i fëmijës së Bleona Qeretit, gjendja psikike e tij është rënduar, aq më tepër kur edhe njerëzit e afërt të tij kanë dalë në mbrojtje të bashkëshortes dhe të dy vajzave të mjekut, duke aluduar edhe për gjendjen e shëndetit mendor të mjekut të njohur të Burrelit.

Ngjarja sipas policisë

Referuar të dhënave që vijnë nga policia e Dibrës bëhet me dije se mëngjesin e së premtes, diku rreth orës 08.00 të mëngjesit mjeku Dalip Gjoka ka qenë në qendër të qytetit bashkë me dy miqtë të tij kur është afruar vëllai i tij, M. Gjoka me makinë dhe e ka thirrur Dalipin. Mjeku ka ikur në makinë me të vëllanë dhe nuk dihet se në çfarë rrethanash janë zhvilluar më pas ngjarjet, por saktësohet se M. Gjoka ka pretenduar në polici dhe në prokurori se është dhunuar nga ana e Dalipit, ndërsa po përpiqej t`i kërkonte llogari për gjithçka po bënte kundër familjes së tij dhe vetë fisit Gjoka, pasi me atë veprim mjeku po i binte ndesh gjithë fisit. Pasi familja e afërt e mjekut ka marrë vesh përplasjen mes dy vëllezërve ka kërkuar ndihmën e mjekëve të Tiranës për të bërë të mundur shtrimin e Gjokës, pasi gjendja e tij rezultonte e përkeqësuar.

Të dhënat flasin për një betejë mes familjarëve dhe vetë mjekut Gjoka, i cili me sa duket paska patur probleme prej kohësh, por pa mundur të shquhen nga pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët tashmë përveç se duhet të vuajnë gjendjen e rënduar të familjarit të tyre iu duhet edhe të përballen me një opinion publik të përpunuar nga media me një material që për ta duket se i kalon përmasat e normales. Gjendja e dyfishtë e vuajtjeve të kësaj familjeje vërehet edhe nga materialet që publikohen herë pas here në rrjetet sociale nga vetë vajza e mjekut që prej mëngjesit të së premtes është i shtruar në pavionin e Psikiatrisë, konkretisht në katin e dytë.

Në spital

Dalip Gjoka vijon të jetë në spitalin psikiatrik. Ai vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe të të gjithë pjestarëve të afërt të familjes dhe të fisit, ndërsa mjekët dhe njerëzit e familjes tashmë vijojnë të jenë të kujdesshëm për të mos lejuar kontaktin me asnjë person të panjohur për shkak që të mos lejohet më të komunikojë me media. Sipas të dhënave që vijnë nga spitali, Dalip Gjoka mësohet se është nën terapi intensive ndërsa familja vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale ka lëshuar ndonjë fjali për kurimin e mjekut matjan. Në një postim të së bijës, që mban datën 9 tetor lexohet qartë trishtimi i saj për të atin që tashmë po lufton me sëmundjen: “Nuk kam nevojë t'u prezantohem kush jam, kolegët mjekë respektojnë kolegun dhe njeriun.

Një ditë jashtëzakonisht e gjatë mes stafetash dhe përjetimesh emocionale ku triumfoi solidariteti, përgjegjshmëria, gjindja, lidhja farefisnore, qytetaria dhe profesionalizmi. Të gjithë bashkë për një kauzë njerëzore, e cila më tregoi se kolegët, familjarët, shoqëria e rastësorët prej vitesh kanë pasur mes tyre një person të ndjeshëm e idealist në kufijtë e padukshëm, mes ëndrrës dhe joreales. Ka kërkuar ndihmë me anë të vetë imponimit. Më në fund e shquajtëm...ndonëse vonë këtë nevojë për vëmendje që ka ulëritur heshturazi. Nuk e kisha menduar që një natë në spital psikiatrik të më sillte kaq paqe. Dalipi ka trajtim VIP. E mua me duket privilegj të shërbej aty ku është detyra e çdo biri kur duhet. Duhet me dit' edhe me dashtë', njerëz. Po presim serumin e radhës. Paqe!”

Historia e Dalip Gjokës

Askush nuk do ta mendonte se një kërkesë ‘live’ e këngëtares Bleona Qeretit do të shkaktonte një dramë kaq të madhe tek një njeri dhe intelektual me një reputacion të madh jo vetëm në rreth e Matit por në të gjitha qarqet intelektuale të Dibrës dhe më gjerë. Dalip Gjoka, u duk sikur u ngrit mbi paragjykimet kur me anë të një letre që iu publikua në një media ai i afronte një propozim për martesë këngëtares që njihet deri në Amerikë, por që pas zhurmës mediatike, Dalipi u harrua në dramën e tij ndërsa tashmë ai po kurohet pikërisht bashkë me të afërmit e tij duke mos u kujtuar askush tjetër për atë që mund të ketë pësuar mjeku nga ato dalje publike dhe nga intervistat e botuara për ditë me radhë.

Propozimi i doktorit për këngëtaren bëri që të nisnin edhe ofertat nga më të ndryshmet nga një mori agjencish për të realizuar ëndrrën e mjekut, që në fakt më shumë se sa për humanitetit e tyre, ata iu bashkuan rastit për të bërë publicitet vetes pa menduar se çfarë pasojash do të sillnin në familjen e Gjokës, kryesisht tek bashkëshortja dhe tek dy të bijat e tij.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat