Unë jam shumë e lidhur me familjen e ngushtë por edhe rrethin e gjerë dhe ndihem shumë e rrespektuar kur më ftojnë në ahengjet e tyre.
E re por me plot ambicie të cilat shumicën prej tyre i ka realizuar, e shikon kudo në aktivitete duke folur në parlamentin e Kosovës e deri në tryezat botërore. Kjo është Njomza Emini, deputetja e Kosovës e cila vjen në këtë intervistë familjare për “Bota sot” e tregon jetën e saj shumë të thjeshtë që bën, e rrethuar nga një familje e mrekullueshme me plot motra të famshme e deri te relaksi i një ditë. Është një nga femrat e politikës që çiltërsinë e saj e tregon edhe në rrjetin e saj social, kur uron për një festë apo ditëlindje, kur kërcen në një dasëm larg kostumit të një zyrtareje, e deri te besimi si çdo vajzë për të kërcyer e kapur lulet e nuses. E nëse jeni kureshtarë të dini se me kë jeton deputetja jonë, gjatë intervistës më poshtë do ta kuptoni.
“Bota sot”: Njomza të të thërrasim apo deputete?
-Ju vendosni, mua më përshtaten të dyja.
“Bota sot”: Si ishte vera e një deputeteje, dhe ku pushoi Njomza?
-Vera për mua ishte si çdo stinë tjetër, shumë e ngarkuar me punë dhe angazhime profesionale dhe në kuadër të përgjegjësive të mia si deputete. Pushimet edhe këtë verë i kam kaluar me familjen time në bregdetin shqiptarë dhe në Kroaci.
“Bota sot”: Të kemi parë shumë aktive nëpër dasma natyrisht si e ftuar dhe duke kërcyer, kaq shumë qef i keni ato?
-Po, këtë vit kam qenë e ftuar në shumë dasma të familjarëve dhe shoqërisë. Unë jam shumë e lidhur me familjen e ngushtë por edhe rrethin e gjerë dhe ndihem shumë e rrespektuar kur më ftojnë në ahengjet e tyre. Dhe duke patur një shoqëri të gjerë dhe afërsinë që ndiej me ta, kam ndier kënaqësi të veçantë duke qenë prezente në ditën e tyre me të mirë, atë të martesës. Dasma apo martesa është hapi për të krijuar një familje të re, andaj unë e çmoj shumë këtë vlerë në shoqëri dhe uroj të ketë sa më shumë çifte të lumtura që krijojnë familje të shëndosha.
“Bota sot”: E vërtetë që në një dasëm shumë afër keni pritur lulet e nuses, i besoni legjendës për atë që i pret ato?
-Patjetër(Qesh).
“Bota sot”: Si është një ditë relaksi dhe me kë apo ku e kalon atë?
-Për mua një ditë relaksi është të zgjohem më vonë se çdo ditë, të shijoj kafen e mëngjesit duke lexuar ose shikuar ndonjë program edukativ. Kryesisht kohën e lirë e kaloj me familje dhe shoqëri, dhe vendet të cilat më relaksojnë shumë është shtëpia në oborr me plot lule, apo peisazhet e bukura në natyrë.
“Bota sot”: Marrëdhënia me motrat që janë shumë, madje secila më e njohur se tjetra, shumë artistë në një familje, më duket se me Adelinën jeni më e lidhur?
-Po, është e vërtëtë. Unë kam motra të mrekullueshme dhe i adhuroj të gjitha. Marrëdhëniet e mia me motrat janë të njëjta me të gjitha. Ndonjëherë krijohet përshtypja që me njërën nga ta jam më e lidhur, e kjo ndoshta shkaku që kohës së lirë që kalojmë më shumë së bashku p,sh. me Adelinën.
“Bota sot”: E me vllaun, çfarë thotë ai për motrën deputete?
-Pyeteni atë më mire (qesh). Jam e sigurt që ai krenohet me arritjet e mia si deputete.
“Bota sot”: Në familje pas prindërve kush i vendos ligjet ju?
-Në familjën time ska ligje-ka respekt, dashuri dhe mirëkuptim. Ne i duam dhe i respektojmë prindërit shumë dhe çdo sukses në jetë ua dedikoj atyre. Ata kanë qenë përkrahës dhe model për të gjithë ne për të arritur sukseset që kemi arritur dhe vazhdojnë të jenë përkrahje e tillë.
“Bota sot”: Ju jetoni me prindërit dhe motrat e tjera, apo jeni privatësuar?
-Unë ende jetoj me prindërit, vëllaun dhe motrat.
“Bota sot”: Tashmë Njomza është në fokus, kudo në foto, në kamera, a mund të dimë se keni një stilist të preferuar, apo mundoheni të vishini me atë që shihni se ju rrinë mirë dhe e blini?
-Unë mundohem të jetoj si çdo femër e thjeshtë në Kosovë. Rregullohem kryesisht vetë, garderobën e zgjedh vetë dhe me ndihmën e motrave të mia dhe kryesisht fokusohem të vesh ato që ndihem më rehat dhe që më rrijnë mirë. Në raste të veçanta unë rregullohem edhe në sallone të bukurisë, dhe mendoj që në Prishtinë kemi shumë stilistë dhe stiliste të talentuara andaj nuk do veçoja ndonjë pasi që jam e kënaqur me shërbimet e tyre në përgjithësi.
“Bota sot”: Ndodh ende që të vishni gjërat e motrave të tjera?
-Shpesh ndodh. Motrat e mia janë personalitete publike dhe kanë garderobë shumë të mirë. Sidomos në raste solemne, sigurisht që huazoj garderobë të tyre.
“Bota sot”: Mendoni se ato ju ndjekin juve më shumë, apo Njomza ndjek më shumë karrierën e tyre sidomos të artisteve në familje?
-Në familjen tonë ne e përkrahim njëri tjetrin shumë. Është e vërtetë që familja ime më ka përkrahur në ç’do sferë të jetës sime dhe kjo më bënë të ndihem e veçantë. Megjithatë, kjo përkrahje s’ka munguar edhe për motrat artiste të familjes sonë. Me motrat, besoj që përkrahja është e dyanshme.
“Bota sot”: Dhë në fund do të donim të dinim se si dhe ku e shikon veten Njomza pas 10-15 viteve?
-Përkushtimi im për të ndihmuar në shtet ndërtim tejkalon jetëgjatësinë time. Unë jam shumë e sigurt që karriera ime në të ardhmen do vazhdoj në fushën e politikës./BS/