Bosi i Zjarr TV: Spikeret tona nuk shesin seks, japin lajmet me lakuriqësinë e tyre

Mediale Vip

Bosi i Zjarr TV: Spikeret tona nuk shesin seks, japin lajmet me lakuriqësinë e tyre

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 09:46

Prej muajsh tashmë, në mediat shqiptare e gjithashtu ato ndërkombëtare, diskutohet mbi një nga televizionet më të reja në Shqipëri, më saktësisht mbi “360 Gradë”, një emision informativ ku spikeret mbajnë veshur vetëm një xhaketë të zbërthyer. Natyrisht, dekolteja e hapur e vajzave nuk ka kaluar pa vëmendje dhe mes mendimeve ‘pro’ e ‘kundër’, nëse kanë arritur të thyejnë ndoshta një tabu, apo të tregohen më të guximshme nga ç’duhet… Sidoqoftë, administratori dhe Drejtori Ekzekutiv i këtij televizioni, Ismet Drishti na rrëfen gjithë të vërtetën mbi qëllimin e këtij formati, si erdhi ideja dhe sa e vështirë ka qenë në një vend si Shqipëria të bindësh vajzat të ekspozohen në ekran…


Ismet, “Zjarr TV” po komentohet nga të gjithë për shkak të emisionit “360 Gradë”. Si ju erdhi ideja?

Ideja për të krijuar një televizion ndryshe ka ardhur duke parë stacionet në Shqipëri, që duke kaluar nga një kanal te tjetri janë pak a shumë njëlloj. Ka nisur moda e blerjeve të emisioneve të gatshme, formateve, dhe unë kam mendimin që është më mirë të servirim një ushqim shqiptar, ndoshta me cilësi pak më të dobët, por që të jetë bio. Ka shumë hapësira boshe. Unë kam gjithë jetën që merrem me televizion dhe jam i vetmi në treg që njoh televizionin dhe merrem me televizion. Televizioni do të jetë ndryshe, sepse unë kam dashur gjithmonë që t’i bëj gjërat ndryshe. Ju jeni duke folur për një emision, për “360 Gradë”. Ju e dini që mediat në Shqipëri janë të kapura, majtas ose djathtas, dhe mendova se audienca ka nevojë për një televizion që ia jep lajmin ashtu siç është, të vërtetën lakuriq, dhe kjo është simbolika. Ishte gjithashtu një mënyrë e mirë marketingu dhe gjetjeje.


Je kritikuar nga AMA apo je gjobitur për këtë?

Më duket e çuditshme të ngrihet kjo pyetje! E keni pyetur “TVSH”-në nëse ka marrë gjobë apo kritikë për fustanin e Elhaida Danit në Eurovizion? Ku është e shkruar që lejohet diçka në festival dhe jo diku tjetër?


Transmetimi i lajmeve me një dekolte të tillë, në fakt është komentuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe jashtë…

Po, është komentuar në të gjithë botën, e dy ditë më parë kam dhënë një intervistë edhe në televizionin gjerman “RTL”, të cilët kishin të njëjtën pyetje dhe e kuptuan simbolikën, madje u pëlqeu ideja.


Është e vështirë të gjesh spikere që pranojnë t’i japin lajmet në formë të tillë?

E lehtë nuk është, të them të vërtetën, megjithëse, vajzat në Shqipëri dalin të veshura ashtu çdo ditë në jetën e përditshme, por nuk dalin në ekran. “Facebook”-u është i mbushur me foto jashtëzakonisht shumë më të ekzagjeruara se kjo xhaketë e zbërthyer, dhe në ekran nuk dalin. Është një tabu që duhet thyer dhe është thyer. Tashmë vajzat e kanë më të lehtë, janë të gatshme, por thonë që nuk i lejon familja apo i dashuri.


Ismet, vajzat, ngacmohen për këtë arsye, ndihen në presion të mentalitetit?

Enki e suportoi mjaft mirë presionin dhe arriti aty ku arriti, sepse, të jesh në faqen e parë të çdo gazete dhe në të gjithë botën nuk është gjë e vogël. Njerëzit punojnë gjithë jetën dhe nuk arrijnë në këto nivele, dhe të arrish në dy muaj e gjysmë falë këtij formati, emisionit “360 Gradë”, nuk është pak. Ishte formati që i dha mundësinë dhe ai që do të bëjë shumë më tepër. Aktualisht po përgatis vajza që dinë gjuhë të huaja, sepse po planifikoj të bëj emisione informative në tri gjuhë të ndryshme. Kemi të gjithë trupin diplomatik që flet anglisht; a duan edhe ata që të shohin lajme?!


Në përgjithësi, cili ka qenë reagimi dhe komentet e audiencës apo kolegëve të medias?

Komentet janë nga më të ndryshmet, sigurisht, pozitive dhe negative, por edhe këngëtari më i mirë në botë merr “dislike”. Andrea Bocelli apo Luciano Pavaroti, ndonëse janë ikona të muzikës, kanë edhe ata njerëz që nuk i pëlqejnë. Sa u takon kolegëve, nuk më bëjnë përshtypje komentet e ziliqarëve, atyre që mendojnë pse nuk e patën ata atë ide. Megjithatë, kolegët e vërtetë më kanë bërë urime nga më të jashtëzakonshmet.


Vajzat, kanë pasur oferta nga televizione të tjera për të realizuar ndoshta të njëjtin emision?

Unë kam bërë mbrojtjen e formatit dhe askush tjetër nuk ka të drejtë për asgjë, me të brendshme, pa të brendshme, ‘topless’ totalisht… I kam mbrojtur të gjitha këto të drejta dhe kushdo tjetër do ta ketë të vështirë nëse guxon ta bëjë diçka të tillë.


Deri ku do guxosh sa i takon zhveshjes; do të shohim në të ardhmen spikere krejtësisht ‘topless’?

Unë i kam mbrojtur si të drejta, por për momentin nuk e kam në plan. Te ky televizion jo, sepse është televizion gjeneralist. Unë e kam konceptuar që gjërat të bëhen ndryshe, si për shembull, parashikimi i motit është ndryshe nga të gjithë. Pse nuk ju bën përshtypje ai, por “360 Gradë” dhe një xhaketë e zbërthyer?!


Në të gjithë botën thuhet se “seksi shet” dhe tërheq vëmendjen…

Nuk bëhet fjalë për shitje seksi. Greta Hoxha jep lajmet në lakuriqësinë e saj.

Ndoshta njerëzit janë aq të fokusuar në dekoltenë e Gretës, saqë nuk i dëgjojnë aspak lajmet…

Sa herë do ta shohin dekoltenë? 2, 3, apo 10 nëse është maniak. Më pas, me siguri që do dëgjojnë lajmet.


Enki është bërë tashmë e famshme falë zhveshjes së saj në ekran. Mendon se është kjo mënyra?

Mendoj se çdo risi merr vëmendjen e të gjithëve. Moti numëron më shumë se 70 mijë klikime dhe një komentues nga Tetova ka thënë: “mirë apo keq, rëndësi ka që është produkt ‘Made in Albania’”, dhe ndihej krenar.


Cila është risia e re që do të vijë nga ju?

“Shkruaj në akull”. Në fakt është një emision që unë e kam realizuar vite më parë dhe e risjell me disa ndryshime, ku do të përfshihet edhe emisioni im i mëparshëm “Tapeti i kuq”. Po flasim për emisionin e parë shqiptar satirik. Natyrisht kam edhe të tjera projekte, të cilat jam duke i punuar. Do të jenë formate shumë interesante.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat